Grupi për Studime Juridike dhe Politike përmes një komunikate, kanë reaguar ndaj raportit të sotëm që Komisioni Evropian i ka dorëzuar Qeverisë së Kosovës, shkruan EkonomiaOnline.
Sipas GLSP-së Kosova këtë vit ka konfirmuar që institucionet e Kosovës kanë humbur betejën për ta mbajtuar axhendën evropiane të gjallë dhe që perspektivën Evropiane e kanë shndëruar në mjet për të menaxhuar politikën ditore.
Komunikata e plotë:
Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën këtë vit veçse konfirmon që institucionet e Kosovës kanë humbur betejën për ta mbajtuar axhendën evropiane të gjallë dhe që perspektivën Evropiane e kanë shndëruar në mjet për të menaxhuar politikën ditore.
Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën këtë vit veçse konfirmon që institucionet e Kosovës kanë humbur betejën për ta mbajtuar agjendën evropiane të gjallë, dhe që perspektivën Evropiane e kanë shndëruar në mjet për të menaxhuar politikën ditore.
Përderisa në shumicën e sektorëve Raporti vëren që progresi i Kosovës është papërfillshëm, mesazhet dhe kërkesat e BE-së ndaj Kosovës mbesin të njëjta me vitet e kaluara. Kjo, përveçse reflekton paaftësinë e institucioneve të Kosovës që me përgjegjshmëri të adresojnë çështjet e viteve të kaluara, është sinjal që Kosova, përkundër vullnetit të popullit të saj, çdo ditë e më shumë është duke u larguar nga objektivi i saj themelor, anëtarësimi në BE. Pikat në vijim janë tregues i së vërtetës që raporti shpërfaq.
Raporti me shumë të drejtë vazhdon të konstatojë që një Qeveri e mbingarkuar me ministra dhe zëvëndës të tyre po cënojnë kredibilitetin e saj dhe pamundësojnë që ajo të jetë efektive dhe përgjegjëshme për të arritur objektivat që janë vënë nga vet Qeveria. Po aq, siç tregohet edhe në Raport, Qeveria vazhdon që me vendimet e saj të atypëratyshme (ad-hoc) dhe të paplanifikuara të shkel premtimet dhe objektivat që ia ka përcaktuar vetës së saj. Natyrisht, këto elemente shfaqin modelin kundër-institucional të veprimit të Qeverisë së Kosovës, si dhe janë tregues i praktikës së imponimit të vullnetit të individit përballë planeve dhe objektivave shtetërore.
Në anën tjetër, Kuvendi mbetet institucioni që e ka të pamundur të gjejë rrugën për të qenë plotësisht funksional, dhe polarizimi mbetet gjuha e vetme e komunikimit në të. Kuvendi nuk ka arritur që të adresojë çështjet e rëndësishme për Kosovën në rrugë e saj drejt BE-së, kurse mungesa e funksionimit të tij të plotë është shndëruar në pengesë për demokracinë në Kosovë.
Poashtu, Raporti evidenton që ndikimi politik vazhdon të jetë aktivisht prezent në procesin e punësimit të zyrtarëve të lartë në administratë, kurse reforma e plotë në administratë është peng i tij.
Çfarë është më e rëndësishme, Raporti rikonfirmon që gjyqësori dhe prokuroria mbesin të ndikuar nga politika dhe që Kosova mbetet në faza të hershme të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Përkundrejt përpjekjeve të institucioneve ndërkombëtare, Raporti konfirmon që sistemi i drejtësisë mbetet në fazë elemetare të zhvillimit dhe që mundësia e tyre për të qenë efektivë në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit mbetet e vogël.
Marrë parasysh këto dhe të gjetura që evidentohen nga Raporti, ne i bëjmë thirrje Qeverisë, Kuvendit dhe institucioneve të sistemit të drejtësisë që të fillojnë të kthejnë besimin e
qytetarëve tek ato, dhe konkretisht të adresojnë të metat që, vite me rradhë, BE-ja u liston në raportin e saj.
Prandaj, GLPS fton Kryeministrin Haradinaj, Kryetarin e Kuvendit Veseli, Presidentin Thaçi, kryesuesit e Këshillit Prokurorial dhe atij Gjyqësorë, dhe ministrat e qeverisë, Kryeprokurorin e Shtetit, që të japin përgjegjësi përball qytetarëve të Kosovës për këto dështime. Kjo mbetet mënyra e vetme se si Kosova mund të vazhdoj, pandalshëm, rrugën e saj drejt BE-së.