GLSP: Institucionet s’e kanë përfshirë shoqërinë civile në hartimin e dokumenteve strategjike

Prishtinë | 21 Qer 2023 | 14:48 | Nga Ekonomia Online

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka organizuar Tryezën e Diskutimit për “REFORMË NË ADMINISTRATËN PUBLIKE: Ku qëndron Kosova në krahasim me vendet e rajonit për vitet 2021 dhe 2022?”

Në këtë diskutim u prezantuan të gjeturat e Raportit Kombëtar të Monitorimit të Reformës së Administratës Publike (RAP) 2021/2021 për Kosovën. Ky draft raport ka ofruar një prespektivë të shoqërisë civile mbi zbatimin e RAP në krahasim me vendet e Ballkanit Perëndimor. Rezultatet e monitorimit sygjerojnë se Kosova ka performuar më mirë në fushën e Ofrimit të Shërbimeve por edhe në Menaxhimin e Financave Publike, mirëpo ka pasur rënie apo stagnim në pothuajse të gjitha fushat e tjera. Të gjeturat e vendosin Kosovën në një vend jo shumë të mirë sa i përket Zhvillimit dhe Koordinimit të Politikave dhe Kornizës Strategjike për Reformën në Administratën Publike. Kosova nuk ka performuar mirë as në përfshirjen e shoqërisë civile në hartimin e dokumenteve strategjike dhe as në publikimin e informacionit për performancën e Qeverisë.

Sa i përket fushës së Kornizës Strategjike për Reformën në Administratën Publike, Konsultimet e shoqërisë civile në Kosovë gjatë zhvillimit të dokumenteve strategjike të Reformës së Administratës Publike (PAR) janë të rralla ose inekzistente. Ndërsa pjesëmarrja e OSHC-ve ndonjëherë sigurohet përmes konsultimeve publike ose debateve zyrtare publike. Ka mungesë të përpjekjeve proaktive nga organet qeveritare për të siguruar përfshirjen e një game më të gjerë të aktorëve të jashtëm në procesin e konsultimit. 

Në fushën e Zhvillimit dhe Koordinimit të Politikave, Qeveria e Kosovës ka krijuar një praktikë të publikimit të përditshëm të komunikatave për shtyp që ofrojnë informacione të kuptueshme. Sa i përket raporteve vjetore të punës së Qeverisë, situata mbetet e pakënaqshme. Raporti për vitin 2020 nuk është hartuar, ndërsa raporti për vitet 2021 dhe 2022 ende nuk janë publikuar. Ndërsa procedurat formale të konsultimit konsiderohen se krijojnë parakushte për përfshirje efektive të publikut, ekziston nevoja për zbatimin e vazhdueshëm të këtyre procedurave nga institucionet qeveritare.

Në fushën e Shërbimit Publik dhe Menaxhimin e Burimeve Njerëzore, Monitorimi i këtyre parimeve kombinon gjetjet e vlerësimit të SIGMA/OECD brenda nën-treguesve të veçantë. Faqja e internetit e Ministrisë së Punëve të Brendshme nuk përditësohet rregullisht dhe raportet për gjendjen e shërbimit civil nuk janë lehtësisht të aksesueshme online. Kjo pengon transparencën dhe llogaridhënien. Sa i pwrket rekrutimeve, vetwm 28.49% e qytetarwve (anketa e perceptimit qytetar në kuadër të WeBER 2.0 mendojnë se shërbyesit publik rekrutohen në baze të merites apo kandidatët më të mirë emëerohen në pozitat publike.

Fusha e katërt, Llogaridhënia, tregon se shumicës së institucioneve publike i mungon një qasje proaktive në informimin e publikut. Për sa i përket deklaratës së anketës me organizata të shoqërisë civile,  nëse organi i caktuar mbikëqyrës vendos, nëpërmjet praktikës së tij, standarde mjaft të larta të së drejtës për qasje në informacionin publik, 81.82% janë pajtuar me të.

Në fushën e Ofrimit të Shërbimeve, Kosova ka performuar mirë. Për më tepër, 73,10% e të anketuarve e njohin përpjekjen e administratës për të ecur drejt qeverisë dixhitale. Shumica dërrmuese (93.76%) konfirmojnë se përpjekje të tilla kanë përmirësuar ofrimin e shërbimeve administrative. Rezultatet tona tregojnë se 45,91 % e qytetarëve të anketuar të Kosovës pajtohen se kanë mundësi të japin mendimet e tyre për cilësinë e shërbimeve individuale të marra; në RAP Monitor 2019-2020, kjo përqindje ishte më e lartë (67,29%).

Edhe në fushën e gjashtë dhe të fundit, Menaxhimi i Financave Publike, Kosova ka pasur rezultat tw kënaqshëm në disa aspekte. Analiza e informacionit buxhetor dhe dokumenteve përkatëse tregon rezultate të kënaqshme për sa i përket transparencës dhe disponueshmërisë së të dhënave të qasshme online. Raportet e ekzekutimit të buxhetit gjatë vitit, raportet mujore dhe raportet e ekzekutimit të buxhetit në mes të vitit janë lehtësisht të qasshme në faqen e internetit të Ministrisë së Financave. Për sa i përket Kontrollit të Brendshëm Financiar Publik (KBFP), raportet e hartuara nga Ministria e Financave nuk janë të disponueshme online. Strategjia e KBFP-së është e vjetëruar, që daton nga periudha ndërmjet 2015 dhe 2019. Sa i pwrket Zyrws Kombwtare tw Auditimit (ZKA), përdor mjete të ndryshme komunikimi me publikun, duke përfshirë konferencat për shtyp, llogaritë aktive të mediave sociale, prodhimin e broshurave dhe videove informative dhe organizimin e eventeve për të promovuar punën e tyre. Megjithatë, më pak se 30% e raporteve ZKA përmbajnë përmbledhje për qytetarët dhe shpesh janë të shkruara në gjuhë teknike.

Të ngjashme