Në tryezën e diskutimit “Monitorimi i Agjencisë së Kosovës për Akreditim: Sa po e përmbush detyrën e saj në sigurimin e cilësisë së arsimit të lartë?” u tha se problemi kryesor i kësaj agjencie është mungesa e stafit.
Rreze Hoxha, autore e raportit, gjatë prezantimit tha se dy monitorues janë të pamjaftueshëm për t’i monitoruar 30 institucione arsimore të akredituara, raporton Ekonomia Online.
Ajo tha se niveli i edukimit dhe i arsimimit në Kosovë është i ulët.
“Niveli i edukimit dhe arsimit në Kosovë është i ulët. Pasojat që janë shkaktuar në vazhdimësi janë të paevitueshme, shkatërrimtare dhe të pariparueshme. Këto vijnë nga mungesa e vullnetit dhe përkushtimit të institucioneve shtetërore, si dhe institucioneve bartëse të arsimit të lartë, në mungesë të adresimit të problemeve që ne përballemi çdo ditë. Kjo ngase praktika që ndiqen nga këto institucione kryesisht anon nga interesa private dhe jo nga interesat e përgjithshme shoqërore”.
Ajo ka paraqitur si problematikë sistemin e arsimit, i cili, sipas saj, konsiderohet mjet pozitiv për biznese fitimprurëse, pastaj numrin e shkollave private dhe stafi akademik i institucioneve private është i prirë nga akterë politikë që ndikojnë në sistemin arsimor.
“Mungesa e burimeve njerëzore për realizimin e përgjegjësisë së saj është shumë prezente. Agjencia ka staf të vogël, ku vetëm dy funksionojnë, apo e kanë rolin i cili merret me verifikimin e aplikacioneve të institucioneve që aplikojnë për akreditim dhe riakreditim. Në Kosovë janë 30 institucione arsimore të akredituara të cilat vazhdojnë të kërkojnë të riakreditohen. Dy monitorues janë të pamjaftueshëm për ta adresuar gjithë këtë punë. Kemi informata që asnjëherë nuk është bërë mbikëqyrje e këtyre institucioneve që do të thotë që Agjencia ka anashkaluar rolin e saj që mbikëqyrës”.
Një ndër rekomandimet e grupit të GLSP-së është që agjencia të fillojë me procedurat e monitorimit të institucioneve arsimore dy herë në vit, raporton EO.
“Duke u bazuar në prezantimin e agjencisë dhe arsimit të lartë, grupi GLSP ka përgatitë rekomandime për Ministrinë e Arsimit: Ligji për akreditim dhe i gjithë legjislacioni sekondar relevat duhet të hartohet në pajtim me standarde evropiane dhe duhet të sigurojë pavarësinë dhe autonominë e agjencisë, Agjencia dhe MAShT-i duhet ta trajtojë mungesën e burimeve njerëzore të cilat kanë shkaktuar shumicën e problemeve, Agjencia duhet të fillojë menjëherë me procedurat e monitorimit të institucioneve dy herë në vit, ashtu siç e përcakton ligji, Agjencia duhet të punojë për së afërmi në identifikimin e personave që mund të jenë pjesë e Komisionit të Ankesave, Agjencia duhet të krijojë një online bazë të të dhënave që ofrojnë informata për institucionet dhe programet e tyre”.
Ismajl Kurteshi, kryetar i Komisionit për Arsim, ka thënë që megjithëse Kuvendi i Kosovës më 19 janar 2017 ka miratuar një rezolutë dhe arsimin e ka aprovuar si prioritet kombëtar, në këtë drejtim nuk është ndryshuar asgjë.
“Arsimi është aty ka qenë para janarit të vitit 2017, përveç aprovimit të rezolutës nuk ka ndodhë asgjë e veçantë prej atëherë dhe gjëja e parë që duhej të ndodhte ishte të rritej fondi, të rritet buxheti për arsim, gjë që nuk ka ndodhë në masën e duhur. Nuk kanë ndodhë angazhimet nga ajo rezolutë për ministrinë. Ministri i MAShT-it është i obliguar të raportojë për gjendjen e arsimit çdo tre muaj në kuvend në bazë të kësaj rezolute. Nuk ka pasë asnjëherë raportim nga ai”.
Ndërsa ka paraqitur disa parregullsi.
“Nuk i kanë dorëzuar librat amzë në afat. Studentët vijnë në MAShT për t’i vulosur dokumentat, por thotë që nuk ka evidencë. Regjistrohen studentë në institucione të paakredituara. Kjo është skandal. Kolegjet private nuk kanë numra amzë të studentëve dhe pranojnë studentë edhe pas afatit të rregullt”.
“Këto dhe shumë të meta të tjera që ekzistojnë në arsimin tonë, duhet të përmirësohen. Një çështje është që janë dy njerëz për akreditim të programeve dhe nuk ekziston një trupë që e bën një gjë të tillë”.
“Studimi i tregut të punës është një nga kriteret kryesore që duhet të jetë kushti i parë që duhet të akreditohet një program. Agjencioni në këtë trajtim luan rol jashtëzakonisht të madh”.
“Ne si komision, edhe pse është nga politikbërës, jemi të vendosur pozitë e opozitë, që në këtë drejtim ta kemi parasysh vetëm aspektin profesional”.
Gazmend Luboteni tha se përgjegjësia e një agjencioni të tillë është tepër e lartë.
“Për herë të parë që nga themelimi, të gjithë anëtarët janë zgjedhur me një proces shumë transparent”.
“Shqetësimi kryesor është pavarësia. Asnjëherë agjencioni nuk e ka pasur ligjin e veçantë. Ne kemi ndërmarrë veprimin që të hartohet ligj i veçantë. Nëse e përfundojmë këtë ligj deri në fund të këtij viti do jetë moment kyç në rikthimin e Kosovës në EQAR, sepse kjo është arsyeja që agjencioni nuk është bërë pjesë e saj”.
“Çështje tjetër që u përmend është monitorimi. Kemi mungesë të jashtëzakonshme të stafit. Nga 9 anëtarë të stafit kemi gjetur vetëm 4, nuk kemi TI anëtar ligjor. Kjo është çështje serioze dhe kemi kërkuar nga MAShT që të kompletohet stafi”.
Mato Meyer, këshilltar i lartë i UNDP-së, inkurajoi për përmirësim të cilësisë arsimore dhe luftim të korrupsionit.
“Duhet të përmirësojnë cilësinë arsimore. Inkurajojmë me dëshirën e institucioneve , shoqerisë, që të luftohet korrupsioni”.
Ndërsa, Colin Tuck, drejtor i Regjistrit Europian për Siguri dhe Cilësi, ka inkurajuar që të gjitha rekomandimet në lidhje me këtë çështje, të adresohet, dhe ka shtuar se transparenca është shumë e rëndësishme për t’u krijuar gjatë procesit.
“Ka dy gjëra që janë të rëndësishme në këtë proces. E para, të ketë nominim transparent të bordit dhe tjetra të krijohen kushte strikte për këtë proces. Propozimet janë duke u draftuar tani dhe ne inkurajojmë ministrinë që ta dërgojë në parlament”.
Rron Gjinovci, drejtor në ORCA, tha se problemet kryesore lidhen me monitorimin.
“Problemet lidhen me monitorimin. Definitivisht dy njerëz nuk munden me monitoru një proces kaq kompleks”.
Ai ka thënë se një nga problemet kyçe është se anëtarët e agjencisë që janë të inkuadruar edhe në institucione dhe punojnë në vendin ku tjetra anë e monitorojnë.
“Një gjë tjetër që nuk është adresu është interesi i konfliktit, ku zyrtarë që janë anëtarë të AKA-së, janë të punësuar edhe në institucione të cilat i monitorojnë. Ky është momenti kritik ku fillon korrupsioni”.
“Pjesë e EQAR-it nuk është që Kosova të jetë pjesë e BE-së, por Kosova me pasë monitorim ndërkombëtar të standardeve”.