“Goditje e rëndë ndaj naftës ruse”, Ukraina thotë se ka goditur cisternat e ‘flotës hije’ ruse me dronë nënujore në Detin e Zi

Prishtinë | 29 Nën 2025 | 17:36 | Nga Ekonomia Online

Dronët nënujore ukrainase kanë goditur dy cisterna që i përkasin të ashtuquajturës flotë “hije” të Rusisë në Detin e Zi, sipas një zyrtari të shërbimeve të sigurisë së Ukrainës (SBU).

Ukraina mori përgjegjësinë për sulmet pasi shpërthime goditën dy anijet të premten dhe të shtunën.

Një burim i sigurisë ukrainase i tha CNN-it se dronët detarë “Sea Baby” ishin përdorur në një operacion të përbashkët nga SBU-ja dhe marina. Nuk pati ndonjë koment ende nga Rusia.

Të dyja cisternat pësuan dëmtime kritike, tha burimi, dhe praktikisht u nxorën jashtë shërbimi, raporton CNN, transmeton Gazeta Express.

“Kjo do t’i shkaktojë një goditje të rëndësishme transportit të naftës ruse”.

Rusia përdor qindra cisterna – shumica lundrojnë me flamuj të vendeve të ndryshme për arsye komoditeti (lehtësimesh ligjore dhe financiare) – për të transportuar naftën e saj te klientët duke sfiduar sanksionet.

Cisterna Virat, që mban flamurin e Gambisë, u sulmua sërish të shtunën, pasi kishte pësuar dëmtime fillimisht të premten, sipas Ministrisë së Transportit të Turqisë.

Sipas autoriteteve detare turke, dëmtimet ishin të vogla dhe mbi vijën e ujit, si dhe nuk pati zjarr. Anija ndodhej rreth 50 kilometra larg bregut turk. Të dhënat e ndjekjes së anijeve treguan se ajo ngadalësoi dhe u drejtua nga bregu të premten mbrëma.

“Nuk ka kërkesë nga ekuipazhi për të braktisur anijen,” tha Ministria turke e Transportit, por një rimorkiator kundër zjarrit ishte dërguar në vendngjarje.

Të ngjashme