Fondacioni Humanitar ‘’Golden Eagle’’, në bashkëpunim me kompaninë “Frutex”, kanë nisur fushatën për mbledhjen e mjeteve, për ndërtimin e shtëpive për familje në nevojë.
Drejtori i këtij fondacioni, Shaqir Palushi, në një konferencë për medie, ka shpjeguar se për çdo produkt të shitur të pijeve “Relax” do të ndahen nga 5 cent, dhe mjete e mbledhura do të shkojnë në fondacionin humanitar “Golden Eagle”, për ndërtimin e këtyre shtëpive.
“Fushata do të zgjasë deri në fund të muajin maj dhe mjete e mbledhura nga kjo fushatë, do të shkojnë në ndërtimin e 7 shtëpive në 7 rajone të Kosovës”, tha Palushi.
Propozimet, për ndërtimet e këtyre shtëpive, për familjet pa kulm mbi kokë, mund t’i bëjnë qytetarët, duke i dërguar propozimet e tyre në e-mailin: [email protected] ose në Faqen e Frutexit në Facebook.
Më pas, Fondacioni do t’i shqyrtojë dhe përzgjedh rastet që konsiderohen me gjendje më të rëndë sociale. “Përparësi do të kenë familjet që kanë persona me nevoja të veçanta, si dhe fëmijë që jetojnë pa prindër”.
“Përzgjedhjen e përfitueseve do ta bëjmë në fund të muajit shkurt, kurse ndërtimi i shtëpive do të fillojë në mars. I gjithë projekti pritet të kushtojë rreth 140 000 euro, ndërsa punët do të ekzekutohen nga kompania e cila do të kontraktohet prej Fondacionit”, ka shpjeguar Palushi, .
Varësisht prej nevojave të familjes dhe numrit të anëtarëve, do të jetë edhe hapësira e shtëpisë, e cila do të ndërtohet me çelësa në dorë.
Pronari i kompanisë së suksesshme nga Suhareka, dhe themelues i Fondacionit “Golden Eagle”, tregoi se në dy vjet të ekzistimit të Fondacionit, kanë ndërmarr shumë aktivitet bamirësie, përfshirë ndarjen e donacione për tri spitale )Prishtinë, Prizren dhe Gjilan).
“Kemi ndarë dhe bursa për 100 studente. Gjithashtu mbështesim edhe institucione dhe shoqata qe merren me shkollim te fëmijëve me nevoja të veçanta”.