Pas dështimit për ta arritur një marrëveshje për targat në Bruksel, analisti Dukagjin Gorani ka thënë se nata e sontme është përplot huti.
Ai ka thënë se nuk dihet çfarë do të ndodh nesër në ora 08:00 të mëngjesit.
“Sonte është një natë përplot huti. Ne nuk e dimë cfarë do të ndodh nesër në ora 08:00 në mëngjes. Nuk e dimë nëse do të zbatohet urdhri për gjobitje, nuk e dimë nëse nuk do të zbatohet. 5-6 orë i kemi krejt ndërmjet”, ka thënë Gorani në Pressing.
Gorani ka thënë se ata që përkrahin politikat e Kurtit, sonte duhet ta shpjegojnë se ku e shpie Kosovën kjo qasje e tij.
“Sonte është nata e përkrahësve të këtij kursi. Unë nuk e di këtë lloj politikë. Nuk e di se si do të zhvillohet situata, sepse është terren i panjohur për mu. Mendoj që sonte duhet që krejt ata që e kanë përkrah këtë kurs, sonte duhet ta shpjegojnë kah na çon kjo politikë”, ka thënë Gorani.
Përndryshe, Policia e Kosovës ka konfirmuar se nga nesër nis shqiptimi i gjobave ndaj makinave me targa ilegale, sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës.