GPLS reagon deklaratën e Ministrit Lekaj

Prishtinë | 29 Mar 2019 | 15:27 | Nga Ekonomia Online

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) kundërshton një praktikë të etabluar të Qeverisë, ministrat e së cilës, sikur z. Pal Lekaj, kohëve të fundit po marrin guximin të kontestojnë kontributin e shteteve mike, përfshirë këtu Konfederatën Zvicerane.

Deklarata e Ministrit Lekaj ku ai kërkon largimin e Ambasadorit të Zvicrës në Kosovë përveç që është skandaloze, është ofenduese për çdo vend vullnetmirë që kontribuon në zhvillimin e Kosovës dhe mirëqenien e qytetarëve të saj. Asnjë ministër i Republikës së Kosovës, apo çfarëdo zyrtari tjetër i lartë, nuk duhet të vë në dyshim sinqeritetin e një ambasadori të një shteti mik. Deklarata e Ambasadorit Lebet veçse përsëriti një të vërtetë të pakontestueshme të cilën në vazhdimësi e ka ngritur shoqëria civile dhe organizatat ndërkombëtare. Kjo gjuhë ministrash mbetet tipike për shtetet që vuajnë nga autoritarizmi dhe i frikësohen kontrollit demokratik dhe të vërtetës së thënë nga miqtë. Kosova nuk ka qenë dhe nuk duhet të jetë asnjëherë e tillë.

Një skandal i tillë i një ministri të qeverisë mund të cenoj seriozisht marrëdhëniet e Republikës së Kosovës me popujt dhe shtetet që kanë dhënë shumë për të ndërtuar dhe zhvilluar shtetin e Kosovës, dhe të cilët nuk janë dorëzuar përballë abuzimit të pushtetit që po ndodh në Kosovë. Njëkohësisht është tregues që Qeveria e Kosovës nuk ka as minimumin e kujdesit ndaj përfaqësuesve diplomatik të shteteve mike, dhe nuk është e interesuar të çmoj kontributin e tyre dhënë për kaq shumë vite ndaj shtet ndërtimit të Kosovës dhe jetësimit të kauzës për njohjen ndërkombëtare të shtetit tonë.

Prandaj, i kërkojmë Qeverisë së Kosovës që të kërkoj ndjesë për një skandal të tillë të Ministrit Lekaj, dhe t’ua bëj të qartë zyrtarëve të lartë vendor peshën e deklaratave të tilla publike. Ndërsa Ministrisë së Punëve të Jashtme i kërkojmë që t’i përmbahet misionit të saj dhe të mos shndërrohet në një trupë pasive ndaj skandaleve që dëmtojnë relacionet diplomatike të Kosovës me shtetet mike. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme