Grabitësi i vrarë në Shtime, djali i një polici të Kosovës

Prishtinë | 07 Gus 2019 | 23:51 | Nga Ekonomia Online

Grabitjet në vendin tonë vazhdojnë të jenë një dukuri shqetësuese. Madje sot një person mbeti i vrarë, derisa i njëjti me disa persona të tjerë të maskuar tentuan të grabisnin një shtëpi në Godanc të Shtimes.

Por, plani i grabitësve nuk iu shkoi ashtu siç e kishin menduar, pasi që ata u ndeshën me pronarët e shtëpisë, ku gjatë ndjekjes njëri nga ta mbeti i vdekur dhe i zoti i shtëpisë u plagos, e që është jashtë rrezikut për jetë.

Tashmë është zbuluar edhe identiteti i grabitësit të vrarë, Indeksonline mëson se ai është F.G nga Prishtina, trupi i të cilit u gjend i vdekur 300 metra nga shtëpia ku kishte hyrë për të grabitur.

Ndërsa i njëjti dyshohet se është djali i një zyrtari policor, këtë e ka konfirmuar për Indeksonline, zëdhënësi në Policinë e Kosovës, Baki Kelani, i cili ka shtuar se janë duke u marrë me zbardhjen e rastit.

“Në bazë të informacioneve/verifikimeve të deritanishme dyshohet se personi në fjalë është djali i një zyrtari policor. Policia e Kosovës është duke punuar intensivisht në hetimin dhe zbardhjen e këtij rasti”.

Ndryshe Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se me urdhër të prokurorit kujdestar, janë ndaluar dy persona në kohëzgjatje prej 48- orësh dhe trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Të ngjashme