Grabitje e armatosur në Slivovë, policia kap tre të dyshuar dhe sekuestron një AK-47

Prishtinë | 19 Pri 2026 | 16:16 | Nga Ekonomia Online

Një grabitje e armatosur e ndodhur mesditën e së dielës në fshatin Slivovë të Ferizajt ka përfunduar me arrestimin e tre personave të dyshuar, pas një reagimi të shpejtë të Policisë së Kosovës.

Sipas njoftimit të policisë, rreth orës 12:00, policia ka pranuar një telefonatë nga një qytetar, i cili raportoi se në marketin e tij kishte ndodhur një grabitje. Ankuesi deklaroi se një person mashkull, rreth 30 vjeç, i veshur me rroba të zeza dhe me fytyrë të mbuluar me shall deri mbi hundë, kishte hyrë në lokal dhe, nën kërcënimin e një arme të gjatë, kishte marrë para nga arka.

I dyshuari më pas ishte larguar në këmbë në drejtim të varrezave të fshatit.

Njësitet policore reaguan menjëherë, duke dalë në vendin e ngjarjes dhe duke ndërmarrë veprime intensive hetimore në terren. Brenda një kohe të shkurtër, rreth orës 12:30, është arrestuar i dyshuari i parë, i identifikuar si B.T., 28 vjeç.

Ndërkohë, në orën 12:50, policia ka konfiskuar një armë të gjatë automatike të tipit AK-47, për të cilën dyshohet se është përdorur gjatë kryerjes së grabitjes.

Hetimet e mëtejme çuan edhe në arrestimin e dy personave të tjerë të dyshuar për përfshirje në këtë rast: R.H., 38 vjeç dhe V.S., 28 vjeç.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë gjithashtu hetuesit dhe krimteknikët rajonalë, të cilët kanë kryer ekzaminimet e nevojshme.

Për rastin është njoftuar prokurori i shtetit për krime të rënda, i cili ka autorizuar vazhdimin e hetimeve dhe intervistimin e të dyshuarve. Me vendim të prokurorit, tre të arrestuarit janë ndaluar në mbajtje për 48 orë.

Të ngjashme