Një plaçkitje e armatosur ka ndodhur sot në Prishtinë, përkatësisht në rrugën ‘Ilir Konushevci’, ku një person i maskuar dhe nën kërcënimin e armës, ka grabitur një intitucion mikrofinanciar.
Rastin e ka konfirmuar për Gazetën Metro Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, i cili theksoi se rasti ka ndodhur rreth orës 17:00, teksa tha se i dyshuari ka ikur nga vendi i ngjarjes.
“Në ora 16:52 policia ka pranuar informacionin se në një institucion mikrofinanciar në rrugën ‘Ilir Konushevci’ në Prishtinë, një person i dyshuar, i veshur me jakne ngjyrë hiri me mangë të zeza, i maskuar dhe nën kërcënimin e armës, dyshohet se ka kryer një grabitje dhe ka ikur nga vendi ngjarjes”, tha ai.
Tutje, Hoxha ka deklaruar se personi në fjalë ka ikur nga vendi i ngjarjes, dhe se njësitet policore po merren me hetimet rreth rastit.
Kujtojmë se gjatë këtij viti në Kosovë janë shënuar disa raste të grabitjes me armë, ku vetëm në dy mujorin e parë të 2019’tës, janar e shkurt, ka pasur mbi 40 raste të grabitjeve, ku shumica prej tyre kanë qenë të armatosura.
E për të parandaluar një gjë të tillë, Qeveria kishte marrë vetëm një veprim, që MPB t’i pajisë me armë të gjata policët, gjë e cila nuk ka sjellur shumë rezultate.