Graçanica shpenzon 2 për qind të buxhetit për projekte kapitale

Prishtinë | 25 Qer 2019 | 12:07 | Nga Ekonomia Online

Shumë të madhe ka paraparë Komuna e Graçanicës për projekte kapitale sivjet. Por e vogël është shuma që e ka shpenzuar për tremujorin e parë të këtij viti. Edhe pse Komunë e vogël, Graçanica ua kalon disa komunave të mëdha me buxhetin që e ka paraparë për projekte kapitale në 2019.

Janë më shumë se 8.6 milionë euro për këtë kategori, që ia kalon për dy milionë euro edhe Komunës së Podujevës. Por për periudhën janar-mars, zyrtarët e Graçanicës kanë arritur t’i shpenzojnë vetëm 183 mijë e 69 euro ose 2.12 nga buxheti i përgjithshëm. Në raportin financiar shihet se nga mjetet e alokuara 100 për qind, kjo Komunë e ka harxhuar buxhetin vetëm për paga dhe mëditje, shkruan sot Koha Ditore.

Në të njëjtin raport nuk janë treguar shumat specifike të mallrave dhe shërbimeve dhe atyre komunale, si për dreka, darka, derivate, udhëtime zyrtare, telefoni, ngrohje, etj., por vetëm në shuma të përgjithshme. Në raport thuhet se nga buxheti i përgjithshëm për vitin 2019, për paga dhe mëditje është ndarë shuma prej afro 3 milionë euro.

Në tremujorin e parë zyrtarët komunalë të Graçanicës kanë realizuar të ardhura vetjake në një shumë prej afro 400 mijë euro nga të ardhurat vetjake të planifikuara për vitin 2019.

Të ngjashme