Gramoz Ruçi flet për largimin nga politika

Prishtinë | 07 Kor 2021 | 12:22 | Nga Ekonomia Online

Kreu i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, ka folur edhe për largimin e tij nga PS dhe politika pas 30 vitesh, ku nuk la pa i shprehur mirënjohje dhe falënderime kolegëve të rij edhe atyre që i ka pasur kundërshtarë politikë.

Teksa falënderoi të gjithë qytetarët shqiptarë që e kanë mbështetur, Ruçi theksoi se nëse “nuk kam bërë më të mirën që prisnin qytetarët shqiptarë, kjo ka ndodhur jo se nuk kam dashur apo nuk kam ditur, por nuk kam mundur”, raporton Tch.

Ruçi: Kam vendosur t’i jap fund kontributit tim në Kuvend, PS dhe politikë. I jam mirënjohës kësaj force politike, Qarkut të Fierit që më kanë zgjedhur deputet për 8 legjislatura rresht. Do shprehja mirënjohje për të gjithë kolegët deputetë të të gjitha legjislaturave edhe për ata që kam qenë në një kah edhe për atë që kam qenë në kah të kundërt politik.

Falënderoj edhe një herë familjen time për mirëkuptimin që kanë treguar ndaj meje. Për rreth tre dekada në këtë sallë, 16 vite kam qenë në maxhorancë dhe 14 vite në opozitë.

Por gjithmonë, në këtë sallë dhe  përtej saj, në të gjithë jetën dhe karrierën time politike, kam bërë më të mirën për të sjellë zërin, nevojat e zgjidhjet për të gjithë qytetarët, pavarësisht nëse kanë votuar mua, partinë time apo kundërshtarët tanë.

Në garat zgjedhore kam konkurruar me dinjitet dhe sinqeritet. Në Kuvendin e Shqipërisë  kam ardhur si shërbyes publik dhe kam kontribuar me përkushtim e integritet.

Nëse nuk kam bërë më të mirën që prisnin qytetarët shqiptarë, kjo ka ndodhur jo se nuk kam dashur apo nuk kam ditur, por nuk kam mundur. Madje, do të thosha, nuk kemi  mundur.

Jam i bindur se gjeneratat e reja të politikanëve dhe qytetarëve shqiptarë, gratë dhe burrat, vajzat dhe djemtë e Shqipërisë që do të vijnë në këtë sallë, do ta bëjnë Shqipërinë një vend më të mirë për të jetuar, një vend më të mirë për të gjithë.

Të ngjashme