Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) dhe Qeveria e Kosovës lansuan programin Kompakt, i cili do të mundësojë zgjidhje të energjisë së pastër, për të përmirësuar gjendjen e energjisë në Kosovë, raporton Ekonomia Online.
Programi Kompakt, është investimi më i madh në sektorin energjisë në dekadat e fundit, me një shumë prej 236.6 milionë dollarësh amerikan.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka thënë se ky projekt përveç bashkëpunimit përbën edhe fuqizimin e Kosovës.
“Këtu jemi mbledhur për të filluar zyrtarisht “Kompaktin” në Kosovë, ku në esencë ky event përveç bashkëpunimit përbën edhe fuqizim për vendin tonë. Nuk është vetëm një grand është mbështetja e pa kompromis mes dy shteteve tona dhe qytetarëve tanë. Bashkëpunimi mbi vlerat e demokracisë. ShBA-të vazhdimisht kanë mbështetur Kosovën në ditët më të vështira të saj. Kompakti që po lansojmë nuk është veç investim në energji dhe ekonomi por në të ardhmen e Kosovës dhe të njerëzve të saj. Jemi në rrugën për ruajtje të energjisë së ripërtërishme dhe ruajtjen e sigurisë së energjisë. Kosova mbetet në ballë të këtyre inovacioneve”, tha Presidentja e vendit, Vjosa Osmani.
Presidentja ka falënderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e vazhdueshme dhe se partneriteti i Kosovës me SHBA-të është i palëvizshëm.
“Rëndësia e kompaktit të MCC do të përdoret si kapital në zhvillimin ekonomik që të tërheqë investitorë. Ky kompakt është riafrimim i partneritetin ekzistencial. Së bashku po dërgojmë një mesazh të qartë, partneriteti i jonë është i palëvizshëm. Në emër të populli të Kosovës ju falënderoj”, tha Osmani.
E, kryeministri Albin Kurti ka theksuar se programi është arritje e tranzicionit të energjisë.
“E vendos Kosovën në ballë të zhvillimit të energjisë së ripërtëritshme. Përmes partnerit tonë, Kosova do të ketë së paku 350 MW rezerva, duke e bërë shtetin me ruajtje të energjisë ndër vendet që ruajnë më së shumti energji”, ka thënë Kurti.
Ambasadori i SHBA-së, Jeffrey Hovenier, është shprehur se programi e fuqizon Kosovën në sektorin e energjisë, duke shtuar se SHBA synon zgjerimin e investimeve private.
“Është e rëndësisë së madhe sepse këto marrëveshje financojnë programe për të mundësuar mjedise për investime në sektorin privat. Këtu kemi ‘Kompaktin” e MCC-së me 236 milionë, duke përfshirë 202 milionë dollarë nga Qeveria amerikane. Investimet tona substanciale e demonstrojnë konfidencën dhe zhvillimin e Kosovës e rritjen e saj”, ka thënë Hovenier.
Ndërsa, zv.presidenti i MCC-së, Cameron Alford, e ka vlerësuar të rëndësishëm për sigurinë e energjisë programin “Kompakt”. Ka shtuar se me program u ofrohen mundësi karriere të rinjve që duan të jenë në sektorin e energjisë.
“Ju përgëzoj për këtë moment për këtë arritje kaq të madhe. MCC është jashtëzakonisht krenare për marrëdhënien që kemi me Kosovën. Fillimi i implementimit është një kapitull i ri në këtë marrëdhënie”, ka thënë Alford.