Zëvendëskryesuesja e Këshillit Prokurorial të Kosovës, znj. Jehona Grantolli, zhvilloi një takim bilateral me kryetarin e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion (SPAK) të Republikës së Shqipërisë, z. Altin Dumani.
Në këtë takim, znj. Jehona Grantolli, shprehu falënderime të sinqerta për mikpritjen dhe bashkëpunimin e ngushtë mes dy institucioneve, duke theksuar rëndësinë e koordinimit të përbashkët në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në të dyja vendet. Ajo theksoi se ky bashkëpunim përbën një shtyllë të fuqishme për avancimin e sundimit të ligjit dhe forcimin e besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë.
Nga ana tjetër, z. Dumani theksoi nevojën e vazhdimit të shkëmbimit të praktikave të mira dhe modeleve të suksesshme të veprimit, duke theksuar se bashkëpunimi duhet të intensifikohet për të adresuar në mënyrë më efektive sfidat komplekse që paraqet krimi transnacional.
Ky takim thellon lidhjet institucionale dhe riafirmon përkushtimin e palëve për të punuar së bashku për forcimin e institucioneve dhe luftën e përbashkët kundër krimit, duke kontribuar në fuqizimin e sistemit të drejtësisë në të dyja vendet.