Gratë artiste kanë kujtuar veprimtaritë e tyre gjatë viteve 1990-të, kur Kosova i rezistoi okupimit nga pushteti serb, raporton Ekonomia Online.
Safete Rugova, artiste dhe aktiviste për të drejtat e grave, bashkëthemeluese e shoqatës “Motrat Qiriazi”, ka thënë se ka bërë shumë projekte, sidomos në Has, duke filluar prej veshjeve të tyre të cilat ajo i konsideron tepër të veçanta dhe të bukura.
Ajo thotë së në disa rajone vajzat shumë pak kanë vazhduar shkollim si Has, Kamenicë dhe Podujevë
“Atë kohë ishte e nevojshme se e dimë se në disa rajone shkollimi i vajzave ka qenë shumë i dobët. Sidomos në rajonin e Hasit, Podujevës etj, shkollimi ka qenë i dobët kështu që qëllim kryesor e kemi pasë shkollimin e vajzave. E kemi fillu në Has. Burrat hasjanë kanë qenë jashtë për të sjellë bukë kështu që gratë kanë qenë të mbyllura në shtëpi”, tha ajo.
“…Kemi fillu që prej veshjes. Ato kanë një veshje karakteristike ndoshta më e bukura që ekziston në Kosovë. Ishte një kohë ku gratë ishin të veshura me veshje kombëtare. Duke u veshë me ato veshje edhe vetë më erdhi inspirimi të bëj një shfaqje artistike. Disa performanca me rrëfime të grave hasjane. Ato kanë disa histori rrëqethëse por shumë të bukura. Për ne ishte karakteristike që ishim rritë në qytet. Për më dukej interesante, për to bukur e vështirë”, tha ajo.
Regjisorja Blerta Zeqiri ka treguar se si në këtë periudhë ka bërë muzikë hip- hop për problemet me të cilat përballeshin.
“Kam këndu për problemet dhe për ato gjëra që në atë kohë na kanë preokupu, për jetën, shkollën, qysh po shkon jeta në shkollë dhe atëherë e kishim një klasë të vogël, një shkollë dykatëshe”, tha ajo.
Igballe Rugova, aktiviste dhe bashkëthemeluese e shoqatës “Motrat Qiriazi”, atë periudhë nuk e sheh hiç të lehtë. Ajo thotë se punën e orientuan në luftën kundër analfabetizmit të vajzave.
“Gjithçka që ka ndodhë ka qenë në kohën e okupimit. Nuk është lehtë me kujtu atë periudhë sepse ka shumë storie. E kemi fillu me kurse kundër analfabetizmit por pastaj u fokusuam në shkollim të vajzave”, tha ajo, raporton EO.
Ajo tregon edhe mbi radiodramën që bashkë me Safeten e kishin krijuar.
“Në kohë kur Millosheviqi digjte libra ne bënim drama për të inkurajuar shkollimin. Fundi ka qenë me emocion dhe kush e ka pa ka qajtë dhe e ka bë me e qu vajzën në shkollë”, tha ajo.
Zake Prelvukaj, artiste e viteve të 90-ta, tash profesoreshë në Fakultetin e Arteve, kujton se si i rezistoi kohës përmes veprave artistike.
Ajo tha se filloi të krijonte emblema që tregonin një histori shqiptare qysh nga qytetet e para që lidheshin me identitetin shqiptar, me atë që na bënte të ndjeheshim si komb, vulat e Skënderbeut e të tjera.
Ky diskutim u bë në kuadër të konceptit “Burrneshat”.