Gratë kosovare pa mbrojtje, përfundojnë të vrara

Prishtinë | 07 Jan 2022 | 15:38 | Nga Ekonomia Online

Një vrasje tjetër e një gruaje si shkak i dhunës në familje ka alarmuar përsëri shoqërinë kosovare. Pavarësisht thirrjeve të shumta për t’u treguar kujdes ndaj këtyre rasteve, ato po hasin në vesh të shurdhër.

Rasti i fundit që mori vëmendjen në Kosovë, është ai i ndodhur para dy ditësh ku një 48 vjeçare mbeti e vrarë si pasojë e plagëve të marra nga gjashtë plumba të qëlluar me armë zjarri nga i dyshuari bashkëshorti i saj.

L.Q. nga fshati Llaushë i Skenderajt dyshohet se u qëllua për vdekje nga burri i saj S.Q. në mesditën e së mërkurës. 48 vjeçarja nuk mundi t’u mbijetojë plagëve dhe përafërsisht pas një ore vdiq në Spitalin Rajonal të Mitrovicës.

E ndjera L.Q. e kishte paraqitur në Polici një rast dhune nga i dyshuari dhe kërkesën për mbrojtje nga maltretimet që po pësonte nga bashkëshorti më 1 janar 2022, por për shkak të festave të fundvitit, kjo kërkesë nuk ishte raportuar e as miratuar deri më 5 janar, ditën kritike kur ajo humbi jetën nga të shtënat e armës.

Siç është mësuar deri tani, L.Q. kishte raportuar më 1 janar që kjo nuk ishte hera e parë që burri i saj po ushtronte dhunë ndaj saj. Sipas saj, një rast i njëjtë ka ndodhur edhe në korrik të vitit 2021, por që ajo nuk e kishte raportuar bashkëshortin në Polici, për shkak se dyshonte se ai kishte probleme mendore, dhe kësisoj do i kalonte edhe në xhelozi.

Rastet e vrasjeve të grave në Kosovë nuk janë të rralla. Gjatë vitit 2021, ndodhën edhe dy të tjera të cilat bënë bujë të madhe në vend.

I tillë është ai i M.O., 18 vjeçares e cila fillimisht u keqtrajtua e pastaj u la të vdes të dielën e 22 gushtit në Ferizaj. Ajo u dërgua pa shenja jete nga në emergjencën e këtij qyteti nga dy të dyshuarit Dardan Krivaqa e Arbër Sejdiu, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

M.O. dyshohet se u vra nga bashkëshorti i saj Dardan Krivaqa, pasi ky i fundit dyshonte se e ndjera e kishte tradhtuar me djalin e dajës së tij. Kësisoj Krivaqa dyshohet se kishe ushtruar dhunë psike dhe fizike ndaj M.O., deri në momentin kur ajo kishte humbur jetën.

Por, vrasja e M.O. nuk është ndër të vetmet që kanë tronditur së fundi shoqërinë kosovare. Një rast pothuajse për motive të njëjta ishte edhe ai i 14 marsit 2021, ku një 40 vjeçare kishte mbetur e vrarë nga ish-bashkëshkorti i saj 45 vjeçar.

45 vjeçari dyshohej se kishte vrarë ish-gruan e tij për motive xhelozie, ku pasi kishte vrarë atë, e kishte ekzekutuar edhe veten.

Ky nuk ishte rasti i vetëm për dhunë në familje që ishte paraqitur në polici nga 40 vjeçarja. Ajo e kishte raportuar në polici ish-burrin e saj edhe dy herë të tjera, porse në asnjë rast nuk ka pasur vendim efektiv nga ana e prokurorisë, përcjell Gazeta Online Reporteri.net.

2398 raste të dhunës në familje gjatë vitit 2021

Gjatë vitit 2021, në Kosovë, janë raportuar 2398 raste të dhunës në familje.

Kështu ka bërë të ditur Policia e Kosovës në një përgjigje për Gazetën Online Reporteri.net duke theksuar se këto të dhëna janë sipas raporteve të deritanishme, pasi që ende nuk janë kompletuar të gjitha të dhënat që vijnë nga DRP.

PK-ja ka theksuar se nga këto raste të dhunës në familje, 6 prej tyre kanë përfunduar në vrasje. E dy prej tyre kanë qenë ndaj grave.

“1 rast burri ka vrarë gruan, 1 rast burri ka vrarë ish gruan, 1 rast nipi ka vrarë gjyshin, 1 rast baba ka vrarë djalin, 1 rast motra motrën, 1 rast vëllau ka vrarë vëllaun”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

Pavarësisht neglizhencës së institucioneve ndaj dhunës së raportuar ndaj grave në Kosovë, opinioni publik nuk kanë qëndruar të heshtur, pasi kanë organizuar edhe protesta si shenjë revolte për trajtimet me të cilat janë ballafaquar këto gra.

Të ngjashme