Gratë që po ndihmojnë Bosnjën të shërohet

Prishtinë | 25 Gus 2018 | 17:15 | Nga

Seida Sariq thotë se ka diçka frymëzuese te sytë e një gruaje që ndërton shtëpinë e saj.

Kjo është pikërisht ajo ç’ka ajo mban mend menjëherë pas luftës së Bosnjës së vitit 1992-1995. Një grua e quajtur Zada, – bashkëshorti dhe vëllai i të cilës ishin në mesin e 8.000 burrave dhe djemve boshnjakë myslimanë të therur nga forcat serbe boshnjake në Srebrenicë – e cila punonte krah më krah me punëtorët që po ndërtonin shtëpinë e saj të re në Sarajevë.

“Ajo donte të jepte (për familjen e saj),” tha Sariq.

“Njoh disa gra nga Srebrenica që jetojnë në pjesë të ndryshme të vendit, të cilat janë përfshirë fizikisht në ndërtimin e shtëpive të tyre, duke vënë tulla.”

Imazhi është një metaforë për fuqizimin e gruas për të cilën Sariq ka punuar për dy dekadat e fundit si drejtuese e organizatës Gratë për Gratë (Zene za Zene) në Bosnjë-Hercegovinë.

Degë e një organizate joqeveritare që më vonë u njoh botërisht, Gratë për Gratë, në Bosnje ka ndihmuar dhjetëra mijëra gra boshnjake të fuqizohen pas humbjes shkatërruese apo traumës së abuzimit seksual gjatë një konflikti ku u vranë 100,000 njerëz dhe ku përdhunimi u përdor si mjet lufte.

Me burrat e tyre në front, gratë mbetën në krye të familjeve në rrethana të vështira. “Gratë gjatë luftës përjetuan betejat e tyre për jetën pas vijës së frontit, ku duhej të mendonin për ushqim dhe strehim për familjet e tyre”, tha për BIRN Sariq, e cila ishte studente kur nisi lufta dhe jetoi në rrethimin 44-mujor të Sarajevës.

“Nëse përjashtojmë luftën, gjithçka tjetër ra mbi supet e grave”.

Përpjekje të vazhdueshme

Themeluar 25 vjet më parë, “Gratë për Gratë” ka ofruar mikrokredi prej rreth 600 euro për 29,000 gra për t’i ndihmuar ato të hapin biznese bujqësore ose artizanale. Në vitin 1998, kur Sariq u bë drejtuese, OJQ-ja filloi kurse fuqizimi 1-vjeçare për t’i mësuar grave aftësitë e nevojshme për të krijuar dhe zhvilluar biznese të tilla të vogla.

Zada ishte ndër të parat që përfitoi nga kursi

“Ata po ndanin historitë, dhimbjen dhe zgjidhjet e tyre”, tha Sariq për BIRN. Zada, të cilën Sariq e kujton si të tronditur nga hidhërimi kur e takoi fillimisht, “hap pas hapi nisi të hapej”. Ajo startoi një biznes pëlhurash dhe mbulesash tavoline me grep.

“Gratë për Gratë” në shkallë botërore kanë ndihmuar më shumë se 460,000 gra në tetë vende – si Bosnja, Afganistani, Republika Demokratike e Kongos, Iraku, Kosova, Nigeria, Ruanda dhe Sudani i Jugut.

Shpesh, vështirësitë ishin të mëdha

“Bosnja nuk është një shoqëri shumë sipërmarrëse për shkak të sistemit të mëparshëm socialist dhe mosmarrëveshjes për sipërmarrjen,” thotë Sariq. “Por gratë kanë filluar të ndërtojnë bizneset e tyre. Sigurisht jo shumë stabël – nuk është një vend stabël dhe ekonomia nuk po shkon shumë mirë, ndaj kjo sfidon këdo”.

“Por gratë po përpiqen vazhdimisht”

Sariq citon shembullin e dy të mbijetuarave në Srebrenicë, Nura dhe Refija, të dyja humbën bashkëshortët dhe morën programin e ofruar nga “Gratë për Gratë” një dekadë më vonë në vitin 2005. Sot ato jetojnë në një shtëpi dhe kanë nisur një kopsht perimesh. “Thonë se i mban gjallë,” tha Sariq.

Punë ‘monumentale’ në Srebrenicë

Sariq vazhdon të shkojë në Srebrenicë për të vizituar të vejat që u kthyen për të rindërtuar shtëpitë e tyre.

“Mendoj se ato janë njerëzit më të vetmuar në botë,” tha ajo, “por janë gjithashtu nga më të duruarat.”

Dëshmia e tyre dhe e grave të tjera boshnjake, ndihmoi që të dënoheshin përgjegjësit e masakrës më të keqe në Europë që nga Lufta e Dytë Botërore dhe për dhjetëra mijëra përdhunime që ndodhën në kampet e paraburgimit.

Gratë dëshmuan dhe lobuan për drejtësi shpesh përballë kërcënimeve intensive. Në vitin 2012, një seancë gjyqësore në gjykatën e OKB-së për krimet e luftës ndaj ish komandantit serb boshnjak, Ratko Mlladiq, u ndal shkurtimisht kur ai bëri shenjën e vrasjes ndaj një gruaje që kishte humbur bashkëshortin, vëllanë dhe djemtë.

“Ato folën të vërtetën dhe qëndruan bashkë,” tha Sariq.

“Është shumë e rëndësishme që gratë e Srebrenicës të jetojnë në Srebrenicë dhe të jenë pjesë e shoqërisë, të kenë vendin e tyre aty dhe të jenë aktive”.

Në korrik, Sariq mori pjesë në Marshimin e Paqes, një ecje tre-ditore nga Nezuk për në Srebrenicë (rreth 75 milje), për të përkujtuar burrat dhe djemtë e vrarë.

“Puna jonë në Srebrenicë ishte monumentale sepse u tha grave që ndiheshin të braktisura nga bota se ato nuk ishin vetëm, se dikush kujdesej për to dhe nevojat e tyre”, tha Sariq.

“Është e rëndësishme të vazhdojmë të ndërtojmë mbi atë solidaritet dhe të vazhdojmë të investojmë në fuqizimin e grave. Kjo është arsyeja pse ne bashkohemi me marshimin çdo vit… Ne jemi këtu për t’i nderuar ato dhe rezistencën e tyre.”

Sariq tha se fëmijët e Zades ishin diplomuar, martuar dhe kishin ndërtuar “një jetë të denjë”.

“Së fundmi, e takova në rrugë. Kishte produktet e saj artizanale. Është pikërisht kjo, ajo që ne dëshirojmë – t’i ndihmojmë gratë të ndërtojnë një jetë më të mirë dhe të bëjnë më të mirën e çdo mundësie që ndodhet para tyre”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme