Ish-emisari i SHBA-së, Richard Grenell, ia ka rikujtuar kryeministrit Kurti, refuzimin e gazit amerikan, pas marrëveshjes me MCC-në.
Nënshkrimi i marrëveshjes mes Kosovës dhe Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) e cila u arrit dje, ka ngjallur reagime të shumta si brenda Kosovës por edhe jashtë saj.
Një reagim të tillë e ka bërë kongresisti amerikan, Bill Keating, i cili është shprehur se Kosova gjithmonë ka mirëpritur përfshirjen e SHBA-së në Ballkan.
Ndërsa ndaj Keating ka reaguar ish i dërguari special për dialogun Kosovë-Serbi nga ish-presidenti amerikan Donald Trump, Richard Grenell.
Grenell në reagimin e tij të bërë në Twitter ia ka ka kujtuar kongresistit amerikan Bill Keating, kohën kur Kurti kishte refuzuar marrëveshjen për gazin amerikan.
Tutje ish i dërguari special ka shtuar se sipas tij, kjo dobësi nuk e ndihmon diplomacinë amerikane.
“Kongresmeni Keating thotë: “Kosova… e ka mirëpritur gjithmonë përfshirjen e SHBA-së në vend dhe në Ballkan në përgjithësi.” A ishte Keating në gjumë vjeshtën e kaluar kur Kurti refuzoi LNG-në e SHBA-së?! Ky lloj dobësie nuk e ndihmon diplomacinë amerikane apo besueshmërinë tonë”, ka thënë Grenell.