Grenell: Në praninë time kurrë nuk është diskutuar për ndarjen e Kosovës

Prishtinë | 07 Mar 2020 | 16:11 | Nga Ekonomia Online

Richard Grenell e ka quajtur lajm të rremë idenë se po synon ndarjen e Kosovës. Ka thënë se një temë e tillë asnjëherë s’është diskutuar kur ai ka qenë prezentë në takimet ndërmjet palës kosovare dhe asaj serbe.

Ky reagim i të dërguarit të Trump për dialogun ka ardhur pasi profesori amerikan, Edward Joseph ka thënë se qëllimi i vërtetë Grenellit,  presidentit Hashim Thaçit dhe Aleksandër Vuçiq është të arrijnë një marrëveshje që në thelb ka ndarjen e Kosovës.

“Lajm i rremë. Kjo kurrë nuk është diskutuar në prezencën time. Edward Joseph është i pamatur këtu”, ka shkruar Grenell në Twitter

https://twitter.com/RichardGrenell/status/1236300304750125058?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed%7Ctwterm%5E1236300304750125058&ref_url=https%3A%2F%2Fwww.gazetaexpress.com%2Fgrenell-e-quan-lajm-te-rreme-se-po-angazhohet-per-ndarjen-e-kosoves%2F

Profesori Edward Joseph, në intervistë thotë se qëllimi kryesor është që të arrihet marrëveshja finale mes Kosovës dhe Serbisë që nënkupton ndarjen e Kosovës.

“Qëllimi i vërtetë i Richard Grenell, Hashim Thaçit dhe Aleksandër Vuçiqit është të arrijnë një marrëveshje dhe unë besoj që është e njëjta ose e ngjashme për atë se çfarë janë dakorduar nën udhëheqjen e Federica Mogherinit. E cila është ndarja e Kosovës, ndonjëherë e quajnë shkëmbim i territoreve, por në të vërtetë është ndarje territoriale e Kosovës, sepse nuk e dijmë sa territor të Serbisë do të marrë Kosova, ndoshta do të jetë një territor i vogël”, ka thënë Joseph për Zërin e Amerikës, edicionin në gjuhën serbe.

“Por,  qëllimi kryesor është që do të jetë një ndarje dhe ndoshta një ndarje e konsiderueshme e Kosovës dhe pyetja thelbësore është çfarë do të thotë kjo për shumicën e serbëve në Kosovë që jetojnë në pjesën jugore të lumit Ibër”, ka thënë Joseph.

Donald Trump po kërkon një marrëveshje të shpejt ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Vitin e kaluar kishte kërkuar që marrëveshje të ishte e pranueshme për të dy palët.

Mirëpo, bisedimet ende s’kanë rifilluar pasi Kosova ende vazhdon ta mbajë në fuqi taksën ndaj produkteve serbe e boshnjake.

Richard Grenell, i Deleguar Special i Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, është përfshirë në një debat me Kryeministrin Albin Kurtin për heqjen e taksës. Grenell po kërcënon me masa ekonomike ndaj Kosovës nëse udhëheqësit kosovarë vazhdojnë të mos përfillin kërkesat amerikane.

Albin Kurti ka premtuar se nga 1 prilli do ta largojë taksën 100 për qind kurse nga 15 marsi vetëm për lëndën e parë.

Në një editorial për një gazetë gjermane, Kurti tha se çdo marrëveshje që arrihet me presion s’do të ketë ndonjë vlerë.

Kosova dhe Serbia kanë hyrë në një dialog të ri prej vitit 2011, pasi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë tha se shpallja e shtetit kosovar s’ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Janë zhvilluar disa raunde bisedimesh në Bruksel mirëpo s’ka pasur një marrëveshje finale.

Tash, edhe SHBA, por edhe BE kanë kërkuar një Marrëveshje Finale që do të normalizonte raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Të ngjashme