Joseph John vetëm sa nuk kishte rënë për të fjetur, në orët e para të 14 qershorit të vitit 2017. Ai dëgjoi një zhurmë që po vinte nga apartamenti pranë në katin e dytë. John po bashkëjetonte me partneren e tij dhe djalin 14-muajsh në ndërtesën “Grenfell Tower”. Hapi perdet dhe pa një veturë në zjarr. Në veturën që e kishte kapluar zjarri, nga dritarja reflektonte një dritë e kuqe.
“Pashë që ndërtesa ishte në zjarr”, kujton Joseph 29 vjeç, shkruan BBC.
Ai zgjoi partneren e tij dhe nxitoi të dilte nga banesa për të kërkuar ndihmë. Partnerja e Josephit është me aftësi të kufizuara dhe ai kishte nevojë për ndihmë për të evakuuar familjen e tij nga ndërtesa 24-katëshe.
Një zjarrfikës i tha që të kthehej brenda në banesë dhe dikush do t’i ndihmonte ata të dilnin. Por pas një ore, pasi flakët përfshinë katet e sipërme të ndërtesës, ai dhe partnerja e tij kuptuan se nuk mund të rrezikonin të prisnin më, transmeton KOHA. Josephi e kaloi fëmijën e tyre mbi një portë të madhe në katin e parë, te një person që nuk e njihte përpara se ta bartte partneren e tij nëpër dritare dhe mbi portë vetë. Ata arritën të dilnin në kohë. Por jo edhe shtatëdhjetë e dy njerëz të tjerë.
Josephi ende nuk është riaftësuar nga pasojat dhe traumat e asaj nate çfarë përjetoi. Ai vuan nga çrregullimi i stresit post-traumatik, nga depresioni dhe ankthi. Disa muaj pas zjarrit, Josephi kishte dëgjuar për një ekip të ri lokal futbolli, që kishte filluar. Si një futbollist i talentuar, ai përfundimisht vendosi të bënte një provë tek kjo skuadër në një seancë stërvitore. Më në fund, ai mund ta hiqte mendjen nga ajo që kishte ndodhur atë natë.
“Kam provuar gatimin, kam provuar të punoj, kam provuar gjithçka”, thotë ai. “Asgjë nuk dukej të funksiononte për mua, përveç futbollit”.
Futbolli u ndihmoi të përballonin traumat
Josephi nuk ishte i vetmi. Kjo është historia e ekipit shumë të veçantë Grenfell Athletic, në ligën e lagjeve, apo siç njihet në Angli, “Sunday League”.