Një nga televizionet më të mëdhenj në Greqi, Mega Channel, ka ndërprerë përfundimisht transmetimet, pas gati 30 vjetësh aktivitet.
Në orët e para të së dielës, platforma digitale Digea ndërpreu transmetimin e sinjalit për televizionin e parë privat të Greqisë, në zbatim të një vendimi të Këshillit Kombëtar të Radio-Televizionit.
Ky ishte akti i fundit i një drame që për 500 punonjësit dhe gazetarët e Mega Channel, nisi në vitin 2012.
Ishte atëherë që aksionerët e këtij televizioni, ndër botuesit dhe biznesmenët më të mëdhenj të kohës në Greqi, nuk pranuan të avanconin në rritjen e kapitalit.
Ndërthurur dhe me problemet e krizës greke, situata financiare e kanalit përkeqësohej vazhdimisht dhe punonjësit nuk po merrnin më pagat e tyre.
Në vitin 2015, televizioni lider kishte kredi të pashlyera me vlerë më shumë se 150 milionë euro.
Për këtë arsye Mega nuk u lejua të merrte pjesë në tenderin për licensimin e televizioneve gjeneraliste kombëtare.
Ndërkohë pronarët ishin tërhequr dhe televizioni menaxhohej nga një numër i konsiderueshëm punonjësish.
Në vitin 2016, të ardhurat nga reklamat ishin 50 milionë euro dhe punonjësit shpresonin se do të merrnin, të paktën, pagat e tyre.
Por bankat i kishin bllokuar llogaritë e kanalit dhe nuk i çliruan kurrë.
Mega vazhdoi emetimin, duke transmetuar seriale të vjetra, por që kishin audiencë mjaft të lartë.
Një tentativë që Mega të licensohej si kanal tematik, në mars të këtij viti, dështoi. Këshilli Kombëtar i radiotelevizionit me vota 6-3, vendosi që platforma Digea të ndërpriste transmetimin e sinjalit të Mega-s. Pasoi ankimi ndaj këtij vendimi, që nuk dha rezultat dhe të dielën, 28 tetor, ora 02,08, sinjali u ndërpre.
Mega e filloi transmetimin e programit të rregullt më 20 nëntor 1989.
Shumë shpejt u bë lider në industrinë televizive në vend, pozicion që e mbajti deri në vitin 2012. Nga ekrani i tij kaluan gjithë emrat më të shquar të gazetarisë greke, ndërsa serialet që prodhoi, në vazhdimësi i mundësonin audienca mjaft të larta dhe të ardhura pa fund. Vetëm në 2009, pak para shpërthimit të krizës, kanali kishte 168 milionë euro të ardhura vetëm nga reklamat.
Pak orë para mbylljes së transmetimeve, punonjësit e pakët që ndodheshin në ambientet e televizionit, transmetuan një video lamtumire.
Ishte një kolazh me batuta nga serialet e Mega Channel, me aludime ndaj qeverisë dhe kryeministrit, si dhe ish pronarëve, që përshkruanin gjithë peripecitë, deri në mbylljen e plotë.
Batuta e fundit ishte “Këtë do ta gjykojë historia”.
Dhe në fund, dy fjalë për publikun: “Ju faleminderit”…