Policia greke ka nisur hetimet për vdekjen e një modeleje australiane në bordin e një superjahti pranë brigjeve të ishullit të Kefalonisë, në detin Jon.
Tri ditë pasi trupi i Sinead McNamara u zbulua në pjesën e pasme të anijes luksoze, policia lokale tha se kanë nisur një hetim të thelluar mbi vdekjen e saj.
“Jahti u largua nga ujërat tona natën e kaluar, por ne po mbledhim prova”, tha zyrtari i policisë portuale të Kefalonisë, Stamatis Limneos, për “The Guardian”. Ai shtoi se hetimi është në vijim.
Media lokale raportoi se 20-vjeçarja kishte vrarë veten, ndërsa disa portale informative pretenduan se ajo u gjet në gjendje kome në një kabinë.
Modelja me origjinë nga Port Macquarie në Australi ishte punësuar si pjesëtare ekuipazhi në jahtin 93.25 metra të gjatë “Mayan Queen IV”, nën pronësinë e manjatit meksikan të minierave, Alberto Bailleres.
Biznesmeni milarder besohet të jetë larguar nga jahti të martën e kaluar, ndërsa vetëm pjesëtarët e tjerë të ekuipazhit ndodheshin në të, në kohën kur ndërroi jetë McNamara. Baba i 7 fëmijëve, Bailleres është renditur në vendin e 143 në botë për pasurinë individuale, me një shumë prej afro 9.6 miliardë dollarë sipas “Forbes”.
Faqja “online” informative “Kefalonia Press” raportoi se mjekët u përpoqën dëshpërimisht ta sillnin në jetë modelen, e cila u dërgua me urgjencë në spitalin e ishullit. Autopsia pritet të zhvillohet tashmë në Athinë.
Autoritetet besohet se janë fokusuar tashmë në kamerat e anijes luksoze 6-katëshe, ndërsa policia ka kaluar 3 ditët e fundit duke marrë në pyetje stafin e jahtit.
Modelja, e cila kishte më shumë se 14 mijë ndjekës në “Instagram”, kishte publikuar një mesazh të koduar dy javë më parë. “Më merrni e më dërgoni aty ku shqetësimi im i vetëm të mos jetë hapja e kafkës”, shkruan ajo, shoqëruar me një foto që e shfaq atë mbi një biçikletë dhe me një panoramë kodrinore.
Departamenti australian i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë njoftoi se po ofronte ndihmë konsullore për familjen e saj. McNamara punonte në jahtin 108 milionë paundësh prej 4 muajsh.