Të enjten, autoritetet greke thanë se po bëjnë përpjekje për t’i strehuar mijëra migrantë të mbetur të pastrehë, në ishullin Lesbos, pasi kampi kryesor u shkatërrua nga zjarret.
Ministria e Migracionit tha se ka dërguar anije për t’i strehuar përkohësisht qindra njerëz.
“Sot do të merren të gjitha veprimet e nevojshme për t’i strehuar menjëherë familjet dhe personat në nevojë”, tha ministria.
Masat e autoriteteve greke po zbatohen para vizitës së paralajmëruar të nënpresidentit të Komisionit Evropian, Margaritis Schinas, për t’i inspektuar kushtet në ishull.
Zjarri i parë që shpërtheu të martën vonë në kampin Moria, detyroi mijëra migrantë të largohen në ullishtet përreth.
Ministri i Migracionit në Greqi, Notis Mitarachi, tha se migrantët ishin fajtorë për ndezjen e zjarrit, për shkak të vendosjes së masave të karantinës, pasi 35 njerëz në kamp rezultuan pozitivë për koronavirusin e ri.
Zyrtarët kanë shpallur një emergjencë katër-mujore në Lesbos dhe kanë dërguar polici shtesë në rast të trazirave.
Vendet evropiane nga Gjermania në Norvegji – së bashku me shefat e BE-së janë përgjigjur me oferta ndihme, mes thirrjeve për reforma urgjente të sistemit të azilit të bllokut evropian.
Që kur u bë një nga portat kryesore në Evropë për migrantët dhe azilkërkuesit më 2015, Greqia ka ndërtuar dhjetëra qendra ndalimi në të gjithë vendin.