Greqia ka rinovuar deri në 12 tetor masat kufizuese me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Turqinë.
Sipas Ministrisë greke të Shëndetësisë, mbeten në fuqi kufizimet e lëvizjes për shtetasit shqiptarë që nuk kanë leje qëndrimi në vend ose që dëshirojnë të udhëtojnë për qëllime turistike drejtë Greqisë.
Deri në datën 12 tetor, të drejtën për te hyrë në Greqi e kanë vetëm shtetasit shqiptarë me leje qëndrimi, homogjenët grekë, shtetasit grekë dhe punonjësit sezonalë.
Për kalimin në kufi, mbeten kufizimet e numrit të personave që kalojnë në Kakavijë 750 dhe Kapshticë 300 persona.
Udhëtarët duhet të kenë plotësuar jo më pak se 24 orë përpara udhëtimit të tyre në vend formën PLF dhe duhet të kenë me vete test PCR negativ, jo më shumë se 72 orë më herët se udhëtimi i tyre.
Të gjithë personat që kalojnë në këto pika kufitare do të duhet të qëndrojnë karantinë për 7 ditë.
Burime nga ministria greke e shëndetësisë thanë se ndryshe nga herët e tjera,masat kufizuese janë deri në datën 12 tetor, me gjasa në pritje të forcimit të tyre, pasi në Greqi janë rritur ndjeshëm rastet e të prekurve me COVID-19, çka ka shtuar zërat për masa kufizuese shtesë, me qëllim shmangien një mbyllje të dytë.