Greqia mori vendim të enjten për izolim në tërë vendin për tri javë në përpjekje për ta luftuar rritjen e numrit të rasteve të koronavirusit.
“Kam zgjedhur të marr masa drastike më herët sesa më vonë”, tha kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis.
Sipas masave të reja, të cilat pritet të hyjnë në fuqi nga e shtuna e kësaj jave, do të mbyllen bizneset, me përjashtim të dyqaneve ushqimore dhe barnatoreve. Civilët mund të dalin jashtë vetëm me orar të caktuar.
Për më tepër, do të mbyllen shkollat e mesme, por shkollat fillore do të mbeten të hapura, shkruan Reuters.
Greqia ka shënuar më pak raste se shumica e vendeve evropiane, kryesisht falë masave të hershme në valën e parë, ndërsa i kishte lehtësuar kufizimet në maj.
Megjithatë, që nga fillimi i tetorit, vendi ballkanik është duke u përballur me rritje të numrit të rasteve dhe ka rikthyer disa masa.
Të mërkurën, Greqia regjistroi 2.646 raste për një ditë, që ishte shifra më e lartë që nga fillimi i pandemisë. Numri i përgjithshëm i rasteve ka shkuar në 46.892, ndërsa 673 persona kanë vdekur.