Qindra fluturime në aeroportet e Italisë janë vonuar ose anuluar, për shkak të grevës 24-orëshe të së martës për paga dhe kushte më të mira pune, nga punonjësit e aeroporteve dhe stafi i kompanive ajrore.
“Alitalia” njoftoi se anuloi mbi 300 fluturime nga e marta deri të mërkurën në mëngjes, por disa të tjera do të kryheshin normalisht, transmeton tch.
Pasojat e grevës në Itali u ndienë edhe në Shqipëri. Fluturimet nga dhe për në Milano, Romë, Gjenovë dhe Verona, që operohen nga kompanitë “Alitalia” dhe “FlyErnest” u anuluan të martën.
Kjo u njoftua dhe në faqen zyrtare të aeroportit të Tiranës, ku u dha edhe informacioni se për 7 udhëtime të tjera në destinacione të ndryshme në Itali, përfshirë Romën, Ankonën, Torinon, Milanon dhe Pizan nuk do të kishte anulime, përveç vonesës dyorëshe të një avioni të “Alitalia”-s nga Roma për në Tiranë.
Linjat që vijuan normalisht ishin edhe “Blue Panorama” dhe “Albawings”.
Aeroporti i Tiranës u bëri thirrje pasagjerëve të prekur nga anulimet, që të kontaktojnë kompanitë ajrore përkatëse për informacione të mëtejshme.