Largimi i Eros Grezdas nga kombëtarja la dyshime të mëdha, teksa versioni i dhënë nga FSHF ishte se sulmuesi u largua për arsye personale, ndërsa vetë lojtari tha se u largua për shkak të problemeve që kishte në gju.
Dy deklarata të ndryshme, që më vonë sollën arsyen e vërtetë të largimit të Grezdës.
Stafi i kombëtares e ka vënë në dijeni 24-vjeçarin se ai nuk do të luajë në dy ndeshjet e ardhshme, atë ndaj Islandës më 8 qershor dhe ndaj Moldavisë më 11 qershor.
Kjo ka krijuar tension mes lojtarit dhe stafit, që mësohet se kanë debatuar për këtë fakt dhe Grezda ka vendosur të braktisë grumbullimin, duke e ditur që trajneri Edi Reja nuk e konsideron pjesë të formacionit, të paktën për këto dy ndeshje, ku do të provohet skema 4-3-3 ose 3-5-2.
E gjithë kjo lëvizje dhe ky informacion është zbuluar nga media skoceze “Daily Record”, që ka shkruar që ditën e hënë në orën 12:09, se Grezda u largua nga kombëtarja kuqezi për shkak të tensionit të krijuar dhe jo sipas deklaratave të dhëna nga vetë lojtari dhe federata, duke na lënë të kuptojmë se i gjithë ky informacion është tentuar të mbahet i fshehtë nga mediet dhe burime pranë federatës.
Një tjetër skandal nga lojtari që i është dhënë më shumë besim dhe minuta në kombëtare, pavarësisht formës së dobët dhe dëmtimeve që ka kaluar tek Rangers në Skoci, duke marrë parasysh se shumë lojtarë të tjerë që kanë kontribut të madh në kombëtare nuk kanë ngritur kurrë zërin edhe kur janë lënë jashtë listës së kombëtares, apo kur kanë qëndruar për ndeshje me radhë në stol.