Antoine Griezmann u la jashtë listës së ngushtë për çmimin e më të mirit të FIFA-s, por ai këmbëngul se ende mund ta fitojë Topin e Artë 2018.
Francezi pretendon se është në të njëjtin nivel me Lionel Messin dhe Cristiano Ronaldon pasi dha mendimin e tij për fituesin e Topit të Artë.
“Unë mendoj se tashmë jam aty ku janë Messi dhe Cristiano. Dhe unë e di se lojtarët e tjerë do të vijnë me siguri”, ka thënë 27-vjeçari.
Kampioni i Botës me Francën, nuk u përfshi në treshen e më të mirëve të FIFA-s, fituesi i së cilës do të shpallet më 24 shtator.
Por anëtari i Atletico Madridit ndjehet i sigurt se do të emërohet lojtari më i mirë në botë pasi fituesi përcaktohet nga votat e gazetarëve dhe ai vlerëson këtë çmim si më prestigjioz.
“Unë mendoj se Ballon d’Or ka më shumë prestigj dhe histori. Kam tre muaj për të dhënë gjithçka”, u shpreh Griezmann.