Roli i gruas shqiptare në luftën për liri, qoftë si bijë, nënë, motër, bashkëshorte apo bashkëveprimtare ishte i madh dhe i pamatshëm, që nga koha e Perandorisë Romake, Bizantit, sundimit otoman, bullgar, grek, serb dhe jugosllav e deri në ditët tona por duket se jo edhe aq i vlerësuar në shoqëri.
Mbretëresha Teutë ishte në krahë të Mbretit Agron, Donika Kastrioti ishte bashkë me Gjergj Kastriotin – Skënderbeun, Marigona Posi e qëndisi flamurin kombëtar kur u shpallë pavarësia e Shqipërisë, Shotë Galica bashkë me Azem Galicën, ishte Marie Shllaku që kaloi tortura çnjerëzore në burgjet jugosllave pas luftës së dytë botërore, deri sa e pushkatuan, Nëna Nazife rriti dhe edukoi në frymën e Nënës Shqipëri, Kuptimin dhe Frymëzimin e shqiptarëve për liri dhe Bashkim Kombëtar, të Amshueshmin Bacë Adem Demaçi, Motrat Qiriazi përmes arsimit vendosën një themel të fortë në luftë për liri, Zahide Jashari, gruaja e Shaban Jasharit dhe Nëna e bijve Adem dhe Hamëz Jashari, nipave dhe mbesave të saj që u flijuan në një sakrificë të paparë dhe të padëgjuar deri në atë kohë për liri, Hanife Mala ishte shoqëruese e Heroit të Kombit Rexhep Mala, deri në kohën kur kaloi në përjetësi në Kodrën e Trimave, Xhevë Ladrovci ishte nuse pa dasmë e Heroit Fehmi Lladrovci që shkoi në shtëpinë e tij sa ishte Fehmiu në burg dhe me të cilin asnjëherë nuk u nda, që nga lufta në Kroaci e deri te rënia heroike te Guri i Gradinës, bashkë me Fatime Shalën.
Nënat, gratë dhe motrat e Xhavit Hazirit dhe Dr. Hafir Shalës qëndruan dhe po qëndrojnë stoikisht dhe krenarë me Xhavirin dhe Hafirin. Ishte Shukrije Ramadani që jetoi dhe po jeton me frymën e veprës së Heroit të Kombit, Agim Ramdani. Është Ferdonije Qerkezi që ende e vazhdon luftën me ata që na dhunuan lirinë duke ia marrë më të dashurit e saj, burrin dhe katër djemtë e saj dhe se këtë luftë po e vazhdon në Shtëpi Muze ku bashkëjeton me kujtimet për më të dashurit e saj. Po të përmendja të gjitha gratë që, krahas burrave kontribuan në luftë për liri dhe çlirim si dhe bashkim kombëtar do të duhej një përmbledhje me qindra dhe mijëra romane dhe vepra të shkruara.
Rolin e gruas në kontributin e saj për liri të popullit e kuptoj si, jo vetëm një gurë në themelet e luftës për liri por si vet themelin mbi të cilin ishin ngritur veprat e mëdha që e mundësuan këtë liri që e kemi, të tillë si e kemi dhe me të cilën nuk mund të jemi të plotësuar krejtësisht sepse idealet ton ishim më të mëdha, jemi në gjysmë të rrygës ku kemi lirinë por jo edhe gjakimin tonë, bashkimin kombëtar. Edhe ne gratë dhamë kontributin tonë duke vendosur nga një gur në themelin e luftës për liri përmes organizimeve ilegale, pjesëmarrjes në protesta dhe demonstrata, në aksione të armatosura, të paraburgosura duke iu nënshtruar torturave çnjerëzore nga udbashët e Jugosllavisë dhe Serbisë e që flisnin shqip, duke vuajtur dënime të gjata me burg si të dënuara politike dhe, kur ra kushtrimi për luftë të armatosur iu bashkuam radhëve të së Lavdishmes Ushtri Çlirimtare e Kosovës. Të heshtura por të vendosura asnjëherë nuk u ndalëm në rrugëtimin tonë shekullorë për liri pavarësisht paragjykimeve që na përcillnin, mjedisit konservator ku jetonim dhe vepronim dhe detyrimeve tona që i kishim si nëna, edukatore të brezave dhe brezave dhe, në jo pak raste ishim edhe zot shtëpie duke u kujdesur për familjet në mungesë të burrave që ishin në burgje apo në mërgim. Në mitologjinë greke merret si shembull besnikërie Penelopa që për vite të tëra,në pritje të kthimit të Odiseut, nuk ishte martuar ndërsa në realitetin shqiptarë kishim qindra e qindra raste të pritjes së burrave apo të të fejuarve që ishin të burgosur apo të dënuar një pjesë e të cilëve nuk ishin kthyer asnjëherë.
Gruaja shqiptare, ashtu siç Prometheu, simbol i mitologjisë greke i cili kaloi nëpër vuajtje të mëdha duke e sfiduar vet zotin e zotave Zeusin, për të mirën e njerëzimit ku liria është çdo gjë dhe mbi të gjitha, në rrugën e saj prometheniane, në një realitet të vrazhdtë, për ta vendosur një gur në themelet e lirisë sfidoi të gjithë ata që e mohonin dhe e dhunonin lirinë e shqiptarëve, pavarësisht çmimit që e pagoi dhe ia doli, në realitet e jo si pjesë e mitit, qoftë i Prometheut apo Kalasë së Rozafës në Shkodër.
Gruaja shqiptare kontribuoi jashtëzakonisht shumë në përballimin e të gjitha vështirësive dhe pengesave në rrugën drejt lirisë duke qenë pjesë aktive dhe e pandashme e fitores, posaçërisht në luftën e fundit por se roli dhe detyrimi i saj nuk përfundoi këtu. Në rrethana të reja kur dolëm nga lufta të shkatërruar, me humbje të mëdha në njerëz, dëme materiale ku ishte i domosdoshëm rindërtimi i familjes sepse shumë familje ishin përgjysmuar, roli i gruas vetëm sa fitoi në peshë duke u bërë vendimtar për materializimin e lirisë në vlera që e identifikojnë një popull të qytetëruar për t’u bërë pjesë e barabartë e popujve të botës, në një rend të ri shoqëror.
Është shumë e vështirë ta fitosh lirinë por është edhe më e vështirë ta ruash lirinë e fituar me shumë sakrifica. Kosova ende nuk po është në gjendje ta gëzojë plotësisht lirinë e fituar, ende po ka nëna që me ankth presin ndonjë lajm për fëmijët e tyre që konsiderohen si të pagjetur. Ka fëmijë që kanë mbetur pa prind dhe se nuk po trajtohen në përputhje me nevojat dhe sakrificat që i kanë bërë prindërit e tyre. Burgjet në Kosovë po mbajnë ish luftëtarë të UÇK-së ndërsa po mungon drejtësia për viktimat e shumta shqiptare gjatë luftës së fundit. Po amnistohen kriminelët e vërtetë që janë në Serbi por edhe në Kosovë. Po themelohen Gjykata Speciale vetëm për shqiptarë sikur kjo në Hagë. Atje po mbahen si rob të paqes ish themeluesit kryesorë e UÇK-së, bartësit e luftës për liri dhe çlirim sikur edhe bartësit e posteve kryesore të Kosovës ; Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi sikur që u dënuan me burg të rëndë, Salih Mustafa, Nasim Haradinaj dhe Hysni Gucati.
Tash ka filluar gjykimi ndaj Pjetër Shalës. Kjo e zbehë lirinë sikur që po bëhen përpjekje të shemben themelet e lirisë. Janë kthyer dhe po faktorizohen bijtë dhe bijat e dhunuesve të lirisë, paraardhësitë e të cilëve më torturuan mua në burgjet e Kosovës përkatësisht në Burgun e Prishtinës dhe Mitrovicës për thuaja 12 mua të plotë siç ishin Gazmend Maliqi, Sahit Ismajli, Shera, ajazët, Zoki, Dragani, etj., vetëm pse e donim dhe vepronim ta fitojmë lirinë e cila, sipas rregullave të Zotit, të Natyrës dhe të Ligjit na takojnë me të lindur.
Në kohët shumë më të vështira kur rreziqet ishin shumë më të mëdha, asgjë që varej nga ne nuk e kursyem për ta fituar lirinë sepse për liri vlenë çdo sakrificë, madje as jeta nuk llogaritet sakrificë si kundërpeshë e fitimit të lirisë.
Është një liri e pjesshme dhe çoroditëse nëse ajo bëhet në mënyrë selektive ; çlirimtarët janë në Hagë të burgosur padrejtësisht, po gjykohen për shkak të së kaluarës së tyre, po dënohen pse janë shqiptarë, për shkak se e mbrojtën dhe nuk pranojnë të rishkruhet historia e ndërtuar me shumë sakrifica, djersë dhe gjak. Liria nuk duron padrejtësi prandaj në shenjë të solidaritetit me të arrestuarit, për të respektuar veprat e tyre atdhedashëse, për të respektuar sakrificat tona dhe vuajtjet nëpër burgjet e Serbisë dhe të Jugosllavisë, shkaku se e donim dhe luftonim për liri, iu bashkova Marshimit për Drejtësi sepse, pa Liri nuk ka Drejtësi dhe drejtësia selektive është padrejtësi.
Ne, gratë që e bëmë të pamunduren në luftë për liri sot jemi para një sfide të madhe ; ta mbrojmë lirinë dhe ta bëjmë më të qëndrueshme duke e përafruar me idealin që e kishin dhe që, pa asnjë dyshim e kemi edhe sot, bashkimin kombëtar. Roli kryesor yni është të edukojmë fëmijët tanë në frymën e dashjes së lirisë dhe respektimit të gjitha vlerave që e sollën këtë liri, të tillë si e kemi. Dhe, në kuadër të mundësive dhe hapësirës që po na lejohet, ne po e vazhdojmë angazhimin tonë për ta forcuar lirinë, tash, me mjete tjera.
Marshimi për Drejtësi ku, në mënyrë të dinjitetshme morën pjesë mbi 90,000 qytetarë të Kosovës dh të gjitha viseve ku jetojnë shqiptarët ishte dhe është vetëm fillimi i një orteku të pandalshëm në mbrojtje të interesave kombëtare dhe shtetërore, ishte dhe është korrje e frytave që mbollëm të gjitha gratë që kontribuam për këtë liri, krahas me burrat. Për aq sa na lejon shëndeti dhe rrethanat që ndërlidhen me gjendjen tonë, ne, gjithsesi do të jemi në mbrojtje të misionit të shenjtë kombëtar ose, në vend tonin do të jenë fëmijët tanë. Nevoja për liri asnjëherë nuk i ka gjetur shqiptarët të papërgatitur, e as tash, pa asnjë dyshim.
Lavdi të gjithë atyre që e dhanë jetën për liri dhe respekt për të gjithë ata që kontribuan për liri. Lavdi dëshmorëve të Kombit dhe Ushtrisë së Lavdishme Çlirimtare të Kosovës!