Shukrie Ramadani, bashkëshortja e heroit Agim Ramadani, e ftuar në emisionin “Frontal” në T7, thotë se vazhdon të jetojë me dhimbje. Teksa shton se ëndrra e Agimit dhe të tjerëve për pavarësinë e Kosovës është arritur.
Në një rrëfim të rrallë, Shukrie Ramadani, tregon sesi u njoh me Agim Ramadanin dhe pse e kishin të ndaluar me ligj të martoheshin.
“Nga klasa e parë njihemi me Agimin, jemi të të njëjtit fshat nga Zhegra e Gjilanit. Jemi rritur bashkë edhe në shkollë fillore edhe në të mesmën. Ishim ndër çiftet e pakta që e kemi pas të ndalur me ligj të martohemi. Agimi ka qenë i kërcënuar që në rast se martohet me mua do ta përjshatojnë nga Akademia Ushtarake, edhe unë isha e dënuar”, tha ajo.
Ajo tha se gjatë kohës sa ka qenë Agim Ramadani në Akademinë Ushtarake, letrat ia ka dërguar në emër të një gruaje serbe.
“Kur ja dërgoja letrat i shkruaja në emër të një serbeje që në shqip emri i saj nënkupton Yllka sepse e doja atë emër, derisa u kry Akademia Ushtarake ashtu i kam dërgu letrat”, shtoi ajo.
“Kur e kreu Akademinë Ushtarake, ditën e parë të dielë e planifikuam të martohemi…Për pesë vite sa isha e fejuar kam bërë shumë çejiz…Kemi pas vazhdimisht sfida të shumta. Pas Akademisë, ajo që mund t’i bënin Agimit ishte mosdhënia e gradave, banesës etj. Por e kishim njëri-tjetrin”, u shpreh ajo.
Teksa shtoi se më pas e kanë krijuar familjen, dy djemtë dhe një vajzë.
“Si e dënuar nuk kisha të drejtë të kisha pasaportë”, tha ndër të tjera.