Një grua nga fshati Zabel i Ulët i komunës së Drenasit tashmë është konfirmuar si e prekur me Covid 19. Bashkë me të jetojnë edhe gjashtë anëtarë të familjes. Mirëpo, ende nuk dihet se si kjo zonjë është infektuar me koronavirus. Ndërkohë asnjërit prej familjarëve të saj nuk i është bërë testi për Covid 19 nga ana e zyrtarëve të IKSHPK’së.
Këtë gjë e tha për Express sot gjatë ditës kryetari i fshatit, Florim Shala.
“Rasti i parë me Covid 19 është shënua në Drenas, në fashtin Zabel i Ulët, është një zonjë e moshës 66-vjecare në fshatin tonë. Kjo grua ka rreth një vit që vuan nga leukemia dhe ajo ka një kohë po ashtu që është paralizuar. Pra nuk ka dalë nga shtëpia. Pra nuk dihet se nga kjo zonjë e ka marrë virusin”, tha Shala.
Tutje ai deklaroi se për këtë punë e ka njoftuar edhe shtabin emergjent në Drenas. Ndërkohë që kjo grua gjendet në shtëpi dhe është duke banuar me gjashtë anëtarë të familjes.
“Ne jemi të shqetësuar edhe vet, hala IKSHPK testet nuk ua ka ba kësaj familje. Jemi të shqetësuar, sepse kjo është e vetmja familje në fshatin tonë të cilës nuk i është ba ende testi për Covid 19. Kjo zonjë i ka edhe6 familjarë që janë të izoluar në shtëpi”, sqaroi Shala.
Megjithëkëtë, në Kosovë deri më tani shumica e komunave janë prekur nga Covid-19 apo i njohur ndryshe si koronavirus. Numri total i personave të infektuar deri më tani në vendin tonë ka arritur në 561 raste. Nga kjo shifër 101 janë shëruar, ndërkohë që 12 persona tashmë kanë ndërruar jetë.
Por pavarësisht këtyre shifrave në Kosovë janë dhjetëra komuna të cilat deri më tan nuk e kanë as edhe një rast të shënuar me Covid 19.
Bëhet fjalë për 11 komuna të cilat deri më tani nuk e kanë as një rast të prekjes me koronavirus. E komunat në fjalë janë, Dragashi, Mitrovica e Jugut, Kaçaniku, Shtërpca, Kllokoti, Parteshi, Ranillugu, Graçanica, Novobërda, Juniku e Mamusha.