Pas më shumë se tetë viteve, 43-vjeçarja nga Prizreni, Hana Bytyqi ka parë për herë të parë fëmijët e saj të cilët ia kishte rrëmbyer ish-burri. E njejta për këtë rast kishte lajmëruar autoritetet në Gjermani e Kosovë.
Për tetë vite, sa ia kishte rrëmbyer dy fëmijët ish-bashkëshortes së tij, Bekë Gashi po jetonte pa asnjë problem së bashku me djalin dhe vajzën në Komunën e Pejës. Pavarësisht se i njëjti po kërkohej nga autoritetet e Kosovës e Gjermanisë, u deshën 8 vite që të gjendej vendndodhja e tij.
Gashi kishte tërë këto vite, që ia kishte marrë dy fëmijët (vajzën dhe djalin), ish-gruas, ani pse asaj i takonte kujdestaria, derisa, nëna e dy fëmijëve, Hana Bytyqi nuk kishte ditur asgjë për fatin e tyre.
Tash 43-vjeçarja, megjithatë, nuk ishte ndalur asnjëherë duke kërkuar për ta. Për këtë rast ajo kishte lajmëruar edhe autoritetet në Gjermani dhe Kosovë, por, çuditërisht tërë këto vite asnjë informacion për Bekë Gashin nuk ishte gjetur. Kjo deri pak ditë më parë.
Hana Bytyqi pas tetë viteve u takua për herë të parë me fëmijët, pas ndërmjetësimit e hetimit nga të dy shtetet. Ata ishin shëndoshë e mirë, e po jetonin me babanë në qytetin e Pejës. Ajo qëndroi edhe pak ditë me ta në strehimore, derisa, dje u nisën për në Gjermani.
Gazeta Express ka dërguar pyetje në prokurorinë e Pejës, për të pyetur se çka ka ndodhur me Bekë Gashin. Të njëjtët shkurtimisht kanë thënë se rasti po hetohet, derisa, nuk dihet nëse i njëjti është arrestuar apo jo.
Momentalisht vajza dhe djali i saj janë njëri 13-vjeç dhe tjetri 11.
Si kishte ndodhur krejt ngjarja?
Vite më parë, përmes një mesitnie që ishte nisur nga familjet, Hana Bytyqi do të takohej me Bekë Gashin. Të dy këta, Bytyqi nga Prizreni, e Gashi nga Qyshku i Pejës, ishin martuar, e jeta pas martesës për ta nuk do të vazhdonte e lehtë. Problemet do të nisnin, kur Bytyqi do të shkonte së bashku me djalin e saj për të jetuar në Gjermani, aty ku jetonte edhe ish-bashkëshorti, Gashi.
Në një rrëfim për Gazetën Express, Hana Bytyqi tha se që kur ishte zhvendosur në Gjermani, për të kishte filluar dhuna.
“Jemi njoftu përmes familjeve, më vonë unë së bashku me djalin kemi ardhë në Gjermani. Aty ka fillu dhuna edhe një jetë jo e lehtë, më vonë më ka lindë edhe vajza, por, që situata në mes neve nuk ka ndryshu”, thotë ajo.
Për vite të tëra, sipas rrëfimit të Hana Bytyqit ajo duroi dhunën, e këtë e bëri për hatër të fëmijëve. Por, kur dhuna u bë a pa durueshme, 43-vjeçarja kërkoi ndihmën e policisë.
Hana Bytyqi e Bekë Gashi ishin divorcuar e fëmijët i kishin mbetur asaj me vendim të Gjykatës. Ajo po thotë se gjykata kishte vendosur që ish-bashkëshorti të ju qëndronte larg fëmijëve, por, që ata të mos rriteshin pa praninë e babait vendosi që banesat ku do të jetonin pas ndarjes të ishin jo shumë larg njëra tjetrës.
Kërcënimet nuk ishin ndalë as pas ndarjes. Bekë Gashi, nën kërcënimet se do t’ia vriste familjen, në maj të 2011-tës, do ta detyronte Hana Bytyqin që së bashku me të të vinin në Kosovë.
“Më ka kërcënu që më vret familjen e jam detyru me u kthy në Kosovë. Kur kemi zbrit në Aeroport të Prishtinës ka fillu tmerri. Prej atëherë nuk i kam pa me sy fëmijët”, rrëfen ajo.
43-vjeçarja shton tutje se nuk ka lënë derë pa trokitur për t’i gjetur fëmijët, megjithatë, thotë se tash e tetë vite nuk ka marrë asnjë informacion për fatin e tyre.
Çdo vit, Hana Bytyqi rrëfen se për ditëlindjet e fëmijëve kthehet në Kosovë, atyre ju dërgon edhe dhurata në ditëlindje, por, që shton se këto kurr nuk arrijnë në destinacion.
Tash e sa vite ajo po kërkon zgjidhje nga gjykatat. Burrin e ka paditur edhe në Gjermani e edhe në Kosovë.
43-vjeçarja thotë se shpreson që sa më shpejtë të gjejë një zgjidhje, e për këtë ka kërkuar ndihmë edhe përmes një shkrimi në Facebook.
Në shkrimin e saj, ajo pohon se kur kishte shkuar për të lajmëruar rastin në Polici të Pejës, kishte marrë vetëm ofendime e injorime.
“Që tetë vite s’kam lënë derë pa trokit në Organet e Drejtësisë së Kosovës, e ajo çka kam marrë kanë qenë ofendimet e injorimit, e bile një polic nga Peja më ka thënë” Qysh po don t’i mi marrë fëmijët kur ish-burri yt në këtë stacion policie 30 mijë euro i ka pagu e t’i pa dhanë kurgjo po don me i marrë”, ka shkruar ajo.
Deri më tani ajo ka vetëm disa spekulime të personave që i thonë se ish-burri e të dy fëmijët mund të jenë duke jetuar në Shqipëri, e fëmijëve iu janë ndërruar emrat.
Ish-burri i 43-vjeçares, emër i njohur për organet e rendit
Bekë Gashi është emër i njohur për drejtësinë në Kosovë. Prokuroria Themelore në Pejë në një përgjigje për Gazetën Express kishte bërë të ditur se ndaj tij ka ngritur propozim akuzën për veprën penale “Thyerja e urdhrit mbrojtës”.
“Prokuroria Themelore e Pejës, ndaj të pandehurit B.G., me datën 12/10/2012, ka ngritur propozim akuzën për veprat penale ”Thyerja e urdhrit mbrojtës” nga neni 25, paragrafi 1, të Ligjit për mbrojtën nga dhuna në familje të Kosovës, si dhe veprën penale “Rrëmbimi i kundërligjshëm i fëmijës”, nga neni 210, të KPK-së.”, thuhet në përgjigjen e prokurorisë.
“Prokuroria Themelore e Pejës është në fazën e ri-grumbullimit të informatave për ketë çështje, dhe lidhur me ketë rast, me datën 11 janar 2019,fillimisht është ftuar e dëmtuara H.G., të dëgjohet në cilësinë e dëshmitares, për datën 25 janar të vitit 2019,mirëpo nga flet-kthesa rezulton se në adresën e kërkuar nuk ka mundur të sigurohet prania e saj”, thuhet në përgjigje, teksa theksohet se do të thirren per intervistim edhe palët e tjera të involvuara.
Ndërkaq, Gjykata Themelore në Pejë në një përgjigje për gazetën kishte thënë se kanë në procedurë një lëndë për Bekë Gashin.
“Në Gjykatën Themelore në Pejë në emër të personit Bekë Gashi është në procedure lënda me bazë juridike besim i fëmijëve”, kanë bërë të ditur nga Gjykata në Pejë, derisa nuk kanë komentuar më tutje rastin./