Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda ka ironizuar me qëllimin që mund ta ketë kryeministri Albin Kurti, duke thënë se në motin me diell teksa po ofrohet edhe pranvera ai ka mund të jetë duke prerë ndonjë shirit për projekte të ndryshme, por që ka zgjedhur që të shtrëngojë kravatën, duke kërkuar pushtet absolut, raporton Ekonomia Online.
Por Gruda në konferencën për media të shtunën teksa përmendi kërkesën e LVV-së që e dërgoi në Kushtetueses mungesën e deputetëve në seancën e presidentit, shembull mori që kjo ka qenë e shkruar në kushtetutat e vendeve ish-komuniste.
“Po bisedonim me shefin e grupit tonë parlamentar dhe ajo që është e rëndësishme për njerëzit: sot gati po hyjmë në pranverë dhe është kohë e mirë, dhe do të duhej që kryeministri të ishte diku duke prerë ndonjë shirit të ndonjë rruge, çerdheje apo spitali. Ndërkohë që kryeministri ynë krejt çka ka bërë, siç thotë populli, është kurthuar në kthinat e Kuvendit të Kosovës dhe ka shtrënguar kravatën, duke kërkuar pushtet absolut. Populli i Kosovës i ka dhënë 51 për qind të votave, jo 100 për qind. Nuk mund të kërkosh 100 për qind të pushtetit me 50 për qind të votave. Ne kërkojmë të respektohet Kushtetuta dhe vullneti i qytetarëve”, tha Gruda.
Gruda nënvizoi faktin se mandati i deputeti është i lirë, potencoi se ndoshta kjo për një laik është e parëndësishme, por që realisht përshkruan lëvizjen civilizuese evropiane.
“Në kërkesën e GP të LVV-së që deputetët të jenë të detyruar në sallë. Po e them këtu si jurist. Në kushtetutat e vendeve ish-komuniste, që sot janë tekste të botuara, ka pasur një koncept që është quajtur “mandati detyrues për deputetin”. Është një lëvizje e madhe civilizuese që njerëzimi të arrijë deri në momentin që ka norma kushtetuese, siç e kemi ne, që thonë se mandati i deputetit është i lirë. Fjala “i lirë” për laikun mund të duket e parëndësishme, por përshkruan një lëvizje të madhe civilizuese evropiane për të arritur në momentin kur përfaqësuesit e zgjedhur politikë kanë lirinë e tyre për të vepruar. Mosqëndrimi në sallë është qëndrim politik. Prandaj nuk mund të ndodhë kurrë në një vend demokratik që një Gjykatë Kushtetuese t’i detyrojë deputetët të qëndrojnë në sallë. Nuk po flas për të ndërhyrë në punën e Gjykatës, por ky është një standard i njohur dhe besoj që do të konstatohet edhe nga Gjykata Kushtetuese. Jam i bindur që në asnjë rast, as në shpërndarjen e Kuvendit dhe as në detyrimin tonë për të qëndruar në sallë, kjo nuk do të kalojë, sepse janë gjëra të njohura. Për më tepër, historia politike e LVV-së tregon që ata nuk kanë qëndruar në sallë as në vitin 2016, ndërkohë që vendimi i Gjykatës Kushtetuese që ata i referohen është i vitit 2011”, tha ai.
