Përparim Gruda, kandidat për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka deklaruar se PDK nuk është kundër procesit të Vettingut në sistemin e drejtësisë, por vlerëson se Vettingu i propozuar nga Qeveria nuk është i mjaftueshëm dhe se procesi duhet të jetë i plotë.
I ftuar në emisionin “Tempus” në KTV, Gruda tha se qëndrimi i PDK-së nuk është refuzues ndaj reformimit të drejtësisë, por kritik ndaj qasjes së pjesshme që, sipas tij, është propozuar nga qeveria.
“Nuk mund të them që jemi kundër Vettingut, por nuk mund të them që Vettingu i plotë është i nevojshëm në këtë moment. Unë mendoj që nëse hyjmë në Vetting, duhet me hy në Vetting të plotë”, theksoi Gruda.
Ai shtoi se modeli i Vettingut të pjesshëm, i propozuar nga Qeveria, nuk garanton reformë reale dhe të mjaftueshme në sistemin e drejtësisë.
“Nuk mendoj që Vettingu i pjesshëm që është propozuar prej qeverisë është i mjaftueshëm”, deklaroi ai.
Gruda u shpreh gjithashtu optimist se procesi i reformimit të drejtësisë mund të marrë mbështetjen e nevojshme edhe nga komunitetet joshumicë në Kuvendin e Kosovës.
“Nuk mendoj që do të jetë problem me i siguru votat edhe të pakicave për procesin e reformimit të drejtësisë, pasi që një reformim i tillë nuk ka interes etnik”, tha ai.