Gruda: Ministrja Haxhiu po manipulon publikisht me vendimin e Apelit për rastin e noterëve

Prishtinë | 14 Shk 2023 | 16:03 | Nga Ekonomia Online

Koordinatori i Departamentit për Drejtësi në Kabinetin për Qeverisje të Mirë në PDK, Përparim Gruda, ka thënë se ministrja a e Drejtësisë, Albulena Haxhiu është duke dezinformuar dhe manipuluar publikisht në lidhje me vendimin e Gjykatës së Apelit për rastin e noterëve.

Gruda ka thënë se Gjykata e Apelit e ka vërtetuar dhe lënë në fuqi aktgjykimin e shkallës së parë, përkatësisht ka rikonfirmuar se procesi i dhënies se provimit të noterisë ishte i ligjshëm dhe i drejtë.

“Ministrja e Drejtësisë dezinformon dhe manipulon publikisht në lidhje me vendimin e Gjykatës së Apelit për rastin e noterëve. Ajo në postimin e saj, vendimin e gjykatës e paraqet si fitore të saj, ndërkohë që e vërteta është krejt tjetër: Gjykata Themelore në Prishtinë, me aktgjykimin e saj A.nr.529/2020, të datës 1 shkurt 2022, e kishte aprovuar në tërësi si të bazuar kërkesëpadinë e paditësve, duke vërtetuar se procesi i dhënies së provimit të noterisë kishte qenë i ligjshëm dhe i drejtë, dhe se vendimi i Ministres Haxhiu për anulimin e këtij procesi kishte qenë i paligjshëm”, ka shkuar Gruda.

“Krejt çfarë Gjykata e Apelit ka vendosur në këtë vendim që ministrja e paraqet si fitore të saj, është refuzimi i ankesës vetëm lidhur me propozimin e disa paditësve për dhënien e aktgjykimit plotësues, përmes të cilit paditësit kanë kërkuar që të detyrohet ministrja të vazhdojë me procesin e emërimit të kandidatëve për noterë, por duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë që kishte rrezuar vendimin e ministres Haxhiu. Pra, Gjykata e Apelit ka vërtetuar dhe ka lënë në fuqi aktgjykimin e shkallës së parë, përkatësisht ka rikonfirmuar se procesi i dhënies se provimit të noterisë ishte i ligjshëm dhe i drejtë”, ka shkruar ndër të tjerash Gruda.

Të ngjashme