Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një burrë në Pejë, nën dyshimin se i njëjti ka grumbulluar produktet e mishit me afat të skaduar dhe pastaj të njëjtat i ka përpunuar dhe ka bërë suxhuk, raporton Express.
Në raportin 24 orësh të Policisë, thuhet se gjatë bastisjes, njësitet policore në bashkëpunim edhe me Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës në fabrikën për përpunimin e mishit kanë gjetur e konfiskuar produkte mishi gjysmë të përpunuar, pa origjinë, pa deklaracion, pa datë prodhimi e skadimi.
Me vendim të inspektorëve të AUV-it, malli është asgjësuar, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje.
“PRODHIM DHE VËNIE NË QARKULLIM E ARTIKUJVE TË DËMSHËM USHQIMOR – Fsh. Sigë, Pejë 20.10.2023-10:30. Njësitet e DHKEK-së kanë arrestuar të dyshuarin mashkull kosovar, nën dyshimin se i njëjti ka kryer veprën e cekur, duke grumbulluar produktet e mishit me afat të skaduar dhe pastaj të njëjtat i ka përpunuar duke përfunduar si suxhuk. Gjatë bastisjes, njësitet policore në bashkëpunim edhe me AUV-në, në fabrikën për përpunimin e mishit kanë gjetur e konfiskuar produkte mishi gjysmë të përpunuar, pa origjinë, pa deklaracion, pa datë prodhimi e skadimi. Me vendim të inspektorëve të AUV-it, malli është asgjësuar, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje. Rasti duke u hetuar”, thuhet në raport.