Grupi i qytetarëve të organizuar nën parullën “ASNJI CENT MA SHUMË!”, informon publikun se protesta e ditës së shtunë nuk organizohet nga ta. Kjo protestë është e thirrur nga Partia Social-demokrate -PSD.
Ky informim u bë i domosdoshëm pasi nëpër rrugët e Prishtinës janë ngjitur postera dhe janë shpërndarë fletushka me informatat e protestës të thirrur nga PSD, pa vendosur askund logon e tyre apo ndonjë shenjë tjetër identifikimi të tyre si organizatorë. Këtë gjë ne e lexojmë si akt të qëllimshëm i cili synon synon t’i konfuzojë qytetarët lidhur me organizimin e nesërm.
Me këtë rast, ne shprehim gjithashtu shqetësimin për sulmet e vazhdueshme mediale të militantëve të PSD-së ndaj aktivistëve/eve dhe qytetarëve/eve të protestës “ASNJI CENT MA SHUMË!”.
Gjatë kësaj jave ne e kemi parë një fushatë të egër të PSD-së për ta deligjitimuar organizimin kolektiv për ta kundërshtuar rritjen e energjisë, duke shpifur dhe keqinformuar publikun.
Përveç propagandës mediale, PSD është angazhuar aktivisht në sabotimin e organizimit qytetarë rreth kauzës së mos-shtrejtimit të çmimit të energjisë, çka është duke na dëshmuar edhe një herë nevojën që kjo kauzë t’iu mbetet
qytetarëve, e jo partive.
Ne insistojmë që kjo kauzë, aq esenciale për të gjithë/a ne, duhet të mbetet kauzë qytetare. Çdo ndërhyrje nga partitë politike do ta dëmtojë këtë kauzë, duke e shndërruar atë në mjet të rritjes elektorale dhe pazareve politike.
Andaj, ne mbesim të vendosur/a që të vazhdojmë me organizimin dhe qëndresën tonë kundrejt kësaj padrejtësie e cila është duke na u kanosur.
Protestat tona dhe përpjekjet për parandalimin e rritjes së çmimit të energjisë do të vazhdojnë deri në fitoren tonë. Kjo betejë na takon neve -qytetarëve, andaj ju ftojmë të gjithë/a që të na bashkoheni në organizim dhe në rrugë.