Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola ka thënë se lojtarët e Liverpoolit do të simulojnë për të fituar ndeshjet. Këto deklarata të tij vijnë vetëm pak ditë para se të dy skuadrat të përballen në “Anfield Road”.
Lideri i Premier Leagues, Liverpooli, do ta presë kampionin në fuqi, Manchester City, më 10 nëntor, shkruan BBC, transmeton “Koha Ditore”.
Sadio Mane shënoi golin e fitores për Liverpoolin të shtunën në minutën e 94-t. Liverpooli triumfoi me kthim ndaj Aston Villas me shifrat 2:1. Me të njëjtin rezultat Manchester City e mposhti Southamptonin.
Pas 11 xhirove, Liverpooli kryeson me 31 pikë, gjashtë më tepër se Manchester City, që zë vendin e dytë e tetë më tepër se Leicester City e Chelsea, që zënë pozitat tre e katër.
“Ka ndodhur shumë herë, ajo që ka bërë Liverpooli në vitet e fundit është për shkak se Mane është talent i veçantë. Nganjëherë është simulimi e nganjëherë është talenti për të shënuar gola të jashtëzakonshëm në minutat e fundit”, ka thënë Guardiola.