“Qeveri e turpit”, Gucati: Cali nuk e lejua as t’ia qes një grusht dhe mbi varr

Prishtinë | 26 Dhj 2025 | 14:00 | Nga Gzim Mujaj

Edhe me rastin e Salih Mustafa “Cali”, Gjykata Speciale pa mëshirshëm vendosi që përveçse mos ta lejojë ta vizitojë e ta shoh babain e tij sa ishte gjallë, kjo Gjykatë nuk i dha lejën atij të paktën të jetë në ceremoninë e varrimit, raporton Ekonomia Online.

Megjithkëtë, babai i tij u varros me ceremoni e nderime ushtarake.

Se si ndihet “Cali”, thotë ta ketë përjetuar edhe vet kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati i cili mori edhe pjesë në varrimin e Jahja Mustafës, e nga ku ka ripërsëritur se Gjykata Speciale është raciste, por ka hedhur kritika edhe ndaj Qeverisë së Kosovës që siç thotë ai nuk bëri asgjë, nuk dërgoi as edhe një letër në Paraburgimin e Speciale e as Gjykatës që ta lejojnë në vizitë humanitare atë.

Mbi gjithë këtë dhimbje, Gucati thotë se Cali do ta gjejë kurajon dhe forcën ashtu siç kishte qenë i fortë në luftë.

“Ne me kohë kemi treguar se kjo Gjykatë është një Gjykatë shumë fashiste dhe raciste për ne si shqiptarë dhe besoj edhe për veteranët e UÇK-së dhe këtë e kam përjetuar në shpirtin tim dhe në trupin tim. Unë, presidenti, baci Jakup, Haxhi Shala, Nasim Haradinaj dhe së fundmi Salih Mustafa Cali i cili përjetoi, por unë e di që Cali mes dhimbjes do ta gjejë edhe forcën. E dimë që kjo Gjykatë është shumë e dëmshme për vendin. Po e shihni edhe këtu se kjo Gjykatë ishte dashur ta lironte Calin dhe të vijë në vizitë humanitare para pesë ose gjashtë ditësh, kur ne dhe mbrojtja e Calit i kemi bërë kërkesë që ta lirojë Calin të vijë, të paktën ta vizitojë babain sa ishte në spital dhe ta shohë sa ishte gjallë. Ajo ndodhi e kundërta. Dhe sot nuk e liruan, të paktën për varrim. Cali është i dënuar dhe ka një verdikt 15 vite burgim, padrejtësisht i dënuar me dëshmitar të rrejshëm dhe të falsifikuar dhe dosje të rrejshme. Çfarë të them tjetër. Cali gjen kurajo dhe forcën. E di që gjen forcën sepse edhe në luftë ka qenë i fortë dhe në burgun e ish-Jugosllavisë 93-97, por edhe tash do të jetë i fortë si gjithmonë. Njerëzit që i ka brenda Cali, Presidenti dhe të tjerë do t’i japin Calit forcë dhe kurajo. Unë ngushëlloj Calin dhe familjen tjetër”, tha Gucati.

Gucati është treguar i ashpër dhe me Qeverinë.

“Shteti i Kosovës, Qeveria në detyrë, Ministria në detyrë e Drejtësisë, ishte dashur dje të dërgojë një letër në Qendrën e Paraburgimit se Cali ka verdikt, dhe Qendra e Paraburgimit dhe Gjykata ka të drejtë Calin ta lejojë atë dhe të jetë në varrim. Por ne po shohim këtu Qeveri në detyrë, çfarë është dhe çfarë ka qenë, dhe prej kësaj qeverie nuk presim asgjë dhe nuk kemi pritur deri më sot asgjë. Kjo qeveri është për turpin e shqiptarëve. Dhashtë Zoti të mos vijë më në pushtet. Do të duhej të interesohej për qytetarët e saj, jo për luftëtarët, por ata janë qytetarë të këtij vendi. Qeveria ishte dashur dje ta dërgojë letrën për ta sjellë Calin në varrim, të paktën t’i thotë babës lamtumirën e fundit dhe dy grushta dhe t’ia qesë”, deklaroi ai.

Në emër të familjes foli Valon Murati i cili tha se mungesa e Calit në varrimin e babait të tij është një dhimbje edhe më e madhe, por që askush nuk mposhtë dinjitetin e luftëtarit dhe atyre që gjithçka dhanë vec për lirinë e vendit.

“Jemi mbledhur për t’i dhënë lamtumirën e fundit një njeriu të dashur, një familjari të mirë, babai i mirë, i cili një pjesë të madhe të jetës së tij duke qenë që gjithë familjen, po në krye me Calin tonë të dashur, e ka pasur të angazhuar në veprimtarinë patriotike, natyrisht që ka qenë edhe vet i përfshirë dhe shtëpia e tij ka qenë një prej bazave më të rëndësishme në Prishtinë. Kur ne humbim një njeri të dashur, humb edhe diçka edhe nga vetja jonë. Ne varrosim edhe nga vetja jonë diçka. Natyrisht, dhimbja është e madhe, por dhimbja sot është e trefishtë. Është e trefishtë sepse po humbin bacën Jah, po e humbin një njeri të dashur, që ka dhënë kontribut dhe ka qenë shtëpi e madhe e lirisë së Kosovës. Por po e humbim edhe, po ndjejmë dhimbje sepse nuk e kemi Calin këtu. Është një dhimbje e madhe, nuk kemi djalin e tij, shokun tonë të dashur, një nga njerëzit më kontribuues për lirinë që kemi sot. Por kemi dhe një dhimbje tjetër sepse ai nuk është këtu për shkak të një padrejtësie të madhe që po na shkaktohet. Është kjo padrejtësi e cila e bën dhimbjen edhe më të madhe. Cali nuk është këtu sepse është i dënuar në mënyrë të padrejtë, fatkeqësisht nga një gjykatë e padrejtë e cila flet në emrin tonë, por nuk vepron në emrin tonë. Ai nuk është këtu edhe përkundër që është dënuar, është dënuar në mënyrë të padrejtë. Por me asnjë rregull, me asnjë parim ndërkombëtar nuk do të duhej t’i ndalohej që të vinte dhe ta shihte babanë e tij në shtratin e vdekjes, dhe po ashtu ai nuk do të duhej të ndalohej që të ishte këtu edhe në këtë ditë të fundit dhe të ndahej me prindërit e tij”, tha Murati.

Ai e quajti Gjykatën Speciale të padrejtë dhe e një realitet të dhimbshëm.

“Fatkeqësisht, këtë gjykatë e kemi realitet. Realitet të cilin e dimë sesi ka ardhur në këtë jetën tonë politike dhe shoqërore. Ky realitet është i dhimbshëm dhe nuk kemi mundësi tjetër sesi ta përballojmë këtë, përveçse me dinjitet. Ashtu siç ka jetuar baci Jah me dinjitet tërë jetën e tij, ashtu siç Cali edhe sot e kalon këtë ditë me dinjitet, edhe ne sot me dinjitet t’i kapërcejmë këto padrejtësi, të vazhdojmë jetën dhe të tregojmë se jemi këtu, dhe do të qëndrojmë të fortë ashtu siç na ka mësuar baci Jah, Cali dhe gjithë dëshmorët e gjithë ata shokë”, deklaroi ai.

Të ngjashme