Kryetari i OVL-UÇK’së, Hysni Gucati sot është paraqitur në seancën gjyqësore të Dhomave të Specializuara teksa është deklaruar i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës, raporton Gazeta Express.
Gjyqtari i procedurës paraprake ka lexuar pikat e aktakuzës ndaj Hysni Gucati dhe i ka shpjeguar atij se në këtë seancë nuk mund t’i kundërshtojë këto pika, por vetëm përmes avokatit.
“Ky nuk është momenti për t’i kundërshtuar akuzat, do të keni mundësi që përmes avokatit mbrojtës t’i kundërshtoni ato. Ju keni të drejtë të një gjykimi të drejtë dhe të shpejtë”, ka thënë gjyqtari Nicolas Guillou
Gucatit I është kërkuar që të deklarohet rreth aktakuzës, kurse kreu i OVL-UÇK’së është deklaruar plotësisht i pafajshëm.
“Unë Hysni Gucati dhe bashkëluftëtarët e mi, kemi mbrojtur pragun e shtëpisë dhe atdheun tonë dhe si pasojë unë jam plagosur me 3 qershor 1999 dhe sot jam invalid i luftës së UÇK’së. Ne nuk e kemi pushtuar Serbinë ne jemi të pafajshëm. Unë kam të drejtën e lirisë dhe të shprehjes dhe të drejtën e shprehjes së mendimeve të mia, është e drejtë e imja që në mënyrë të ligjshme të mbroj vlerat e kombit shqiptar dhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe do të vazhdojë t’i mbrojë këto vlera deri në fund. Në të gjitha pikat që mu lexuan deri tash e ndiej veten të pafajshëm dhe plotësisht i pafajshëm”, ka thënë Gucati.