Gucati i gëzohet lirimit të Kilajt, shpreson që Specialja do të reflektojë edhe me lirimin e ish-krerëve të UÇK-së

Prishtinë | 10 Dhj 2025 | 15:58 | Nga Ekonomia Online

Lirimi me kusht i Isni Kilajt është vlerësuar si një reflektim i vogël i Gjykatës Speciale, për çka kryetari i Organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati në një prononcim për Ekonomia Online ka thënë se mbetën me shpresën që sa më parë një vendim për lirim të merret edhe për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen në Hagë.

Gucati ka shprehur edhe gëzimin për lirimin e bashkëluftëtarit të tij, duke thënë edhe se Gjykata Speciale po tenton që t’i përmirësojë gabimet e veta, e që këto vendime ajo do të duhej t’i kishte marrë shumë më herët.

“Këtij lajmi ne i kemi gëzuar si bashkëluftëtar besoj që këtij lajmi iu janë gëzuar edhe qytetarët  e Republikës së Kosovës. Është një reflektim i vogël i Gjykatës Speciale e cila po mundohet të reflektojë dhe të përmirësoj gabimet e veta që është duke i bërë, unë besoj që Gjykata Speciale është dashur të merr vendim edhe më herët edhe për ish-krerët e UÇK-së që të lirojë të gjithë te shtëpia me kusht, derisa të vendos për një verdikt, shpresoj që të jetë një verdikt pozitivë për ta dhe për të gjithë ata që ndodhen në paraburgim, ky lajm na ka gëzuar të gjithëve edhe si qytetarë edhe si bashkëluftëtarë të Isni Kilaj”, tha ai npërmjet telefonit.

Gucati mbetet me shpresën se Gjykata Speciale do të reflektojë edhe për rastin e ish-krerëve të UÇK-së.

“Dua besoj dhe të jetë një hap i mirë, dhe shpresoj të reflektojë Gjykata Speciale edhe për të tjerët të gjithë t’i lirojë deri në verdiktinn e fundit që ne presim që në vitin 2026  të merret një verdikt pozitiv për presidentin dhe të tjerët. Kjo është një hap i mirë për arsye se në këto kushte çfarë jemi sot familjarët e tij do t’i gëzohen dhe miqtë edhe qytetarët e Kosovës, shpresoj që gjykata të merr hap pozitiv për të gjithë”, tha Gucati për Ekonomia Online.

Ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj, është liruar me kusht nga Gjykata Speciale pasi u konstatua se mbajtja e tij në paraburgim nuk është më e arsyeshme dhe as proporcionale.

Kilaj akuzohet bashkë me Hashim Thaçin, Bashkim Smakajn, Fadil Fazliun dhe Hajredin Kuçin për pengim të drejtësisë. (Çështja 12)

Gjykata, në vendimin e datës 3 dhjetor 2025, konstatoi se rrethanat kanë ndryshuar krahasuar me apelin e fundit në tetor. Gjykata vlerësoi se megjithëse ekziston njëfarë rreziku që Kilaj, nëse lirohet, të pengojë procesin apo të kryejë vepra të tjera, “e drejta e tij themelore për liri peshon më shumë në rrethanat aktuale”.

Një nga faktorët kyç për lirimin me kusht ishte fakti se koha që Kilaj ka kaluar në paraburgim tashmë tejkalon dënimin minimal që do të përballej nëse shpallej fajtor.

Si masë lehtësuese për ta liruar me kusht Kilajn u mor edhe përfundimi i paraqitjes së provave në çështjen kryesore kundër Hashim Thaçit dhe të tjerëve.

Gjykata ka thënë se rreziku është shumë i ulët që Kilan të ndikojë në dëshmitarët e Prokurorisë për “Çështjen 12”, si dhe nuk ekziston rreziku i arratisjes “bazuar në sjelljen e tij gjatë lirimit të mëparshëm dhe ofrimin e një dorëzanie financiare të konsiderueshme”.

Gjykata paralajmëroi se çdo shkelje e kushteve të vendosura do të sjellë arrestimin e tij.

Kilaj qe arrestuar në dhjetor të vitit të kaluar bashkë me Smakajn dhe Fazliun.

Të ngjashme