Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka shënuar Ditën e Veteranit të UÇK-së.
Aty u tha se 28 vjet më herët, pushtuesi serb e ka parë që në Prekaz nuk mund të hyjë gjallë dhe që nga ajo ditë raportet mes shqiptarëve dhe serbëve janë thyer përmes tytave të pushkës, raportom Ekonomia Online.
Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ka thënë ushtarët e UÇK-së kanë histori që i dallon nga të tjerët. Ka thënë se 28 vite më parë raportet shqiptare-serb u “thyen” në Prekaz.
“Të dashur bashkëluftëtarë e veteranë, kurrë mos lejoni që askush t’ua qes në pikëpyetje krenarinë e as të drejtën tuaj, sepse këtë të drejtë nuk e ka askush. Kemi qenë atëherë në të drejtën tonë kur i kemi dalë zot vendit e popullit e lirisë tonë, jemi sot dhe kemi për të qenë përjetë e mot. E unë kam dëshirë që jeta ime, jeta e luftëtarit të jetë gjithmonë e këtillë që askush të mos ketë mundësinë ta ligë luftëtarin e lirisë ose t’ ia mohojë të drejtat që i takojnë me Ligj e Kushtetutë në Kosovë”, kështu u shpreh sot, kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në shënimin e Ditës së Veteranit.
Para të pranishmëve të shumtë, kryeministri në detyrë Haradinaj tha se Ushtria Çlirimtare e Kosovës janë krenarë dhe kanë histori e cila siç u shpreh i bindur ai, i dallon nga të tjerët.
Në fjalën e tij, kryeministri në detyrë Haradinaj veçoi se edhe Dita e Veteranit është një ditë që na bën krenarë sepse bëhet fjalë për përpjekjen e pushtuesve që t’i masnin forcat, të testojnë veten në raport me shqiptarët.
“Në Drenicë por edhe kudo që kanë jetuar shqiptarët, pushtuesi nuk ka mundur ta turpërojë e dorëzojë shqiptarin. Rëndësia e 28 vjetëve më herët është se po në këtë ditë janë mbrojtur politikat e gjykimet e njerëzve se si do të mbyllet fati i Kosovës. Atë ditë është ditur se do të vije edhe marsi i ’98-ës. Luftëtari shqiptar e ka pasur të vështirë sepse në Ballkan ka qenë i vetëm dhe i rrethuar me fqinj lakmitarë të cilët e kanë pasur qëllim rritjen e tyre mbi tokën, mbi të drejtat, mbi mallin e shqiptarit”, u shpreh kryeministri në detyrë Haradinaj.
Kryetari i OVL-së së UÇK-së, Hysni Gucati ka thënë se ky vit ishte sfidues për veteranët e UÇK-së, pasi ata po përballen me padrejtësi e arrestime.
“Në Drenicë, pushtuesi nuk ka mundur ta poshtrojë, ta turpërojë shqiptarët. Edhe 28 vjet më herët, pushtuesi serb e ka parë që në Prekaz nuk mund të hyjë gjallë dhe që nga ajo ditë raportet mes shqiptarëve dhe serbëve janë thyer përmes tytave të pushkës”, ka thënë Haradinaj para veteranëve.
“Kjo ditë është e përkujtuar edhe si dita e familjes Jashari, dita kur në Prekaz iu tregua qartë forcave serbe se Kosova është e përgatitur të luftojë për lirinë e popullit të saj”.
“Atë ditë me të dëgjuar krismat e para të lirisë, për në Prekaz kishin mësyer shumë njerëz nga të gjitha anat e viset e Kosovës, për t’i ardhur në ndihmë pushkës së Jasharajve”.
“OVL e UÇK është përballur me shumë padrejtësi, duke arrestuar e burgosur, dhe krejt kjo me procese të montuara politike dhe të dirigjuara nga Beogradi me bashkëpunëtorët e tij”, ka thënë Gucati.
Kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, ka kërkuar unitet dhe mospërçarje mes shqiptarëve.
“Sot 28 vite më parë iu tregua troç Serbisë se nuk mund të bëjë çfarë të dojë dhe të luajë me shqiptarët”, u shpreh nipi i komandantit Adem Jashari.
“Më lejoni që këtu në mesin tuaj ta përshëndesë një person i cili 28 vite më parë është plagosur. ai është Vesel Selimi nga Açareva. Unë uroj që të jeni të bashkuar, mos t’ju përçajnë ngjyrat politike”, ka thënë Jashari.