Kryetari i OVL-së së UÇK-së, Hysni Gucati, ka paralajmëruar valë të madhe të ftesave nga Gjykata Speciale. “Në muajin prill pritet të ketë dhjetëra ftesa të reja nga Gjykata Speciale për pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë ai, shkruan Gazeta “Zëri”.
Gjykata Speciale nuk e ka ndalur dërgimin e ftesave ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së në Kosovë. Pas disa javëve “qetësi” Specialja të mërkurën (dje) ka dërguar ftesën e radhës ndaj një ish-pjesëtari të UÇK-së. Rrahim Hashimi ka njoftuar se do të paraqitet në Hagë më 9 prill në cilësinë e të dyshuarit. Kryetari i OVL-së së UÇK-së, Hysni Gucati, ka paralajmëruar valë të madhe të ftesave nga Gjykata Speciale.
“Në muajin prill pritet të ketë dhjetëra ftesa të reja nga Gjykata Speciale për pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. I ftoj të gjithë bashkëluftëtarët që t’i përgjigjen kësaj gjykate. Është padrejtësi e madhe për të dëshmuar për luftën e pastër të UÇK-së”, ka thënë Gucati, shkruan Gazeta “Zëri”.
Kurse në fund të vitit të kaluar Gjykata Speciale kishte filluar aktivizimin me dërgimin e ftesës së parë nga ky institucion i drejtësisë ndaj ish-komandantit të UÇK-së në Zonën e Llapit, Rrustem Mustafa, i cili u paraqit në Hagë më 14 janar të këtij viti. Ftesë nga Gjykata Speciale përpos Mustafës morën edhe shumë ish-eprorë të tjerë të UÇK-së, mes tyre ish komandanti i UÇK-së Sami Lushtaku, Sylejman Selimi, ish-kryetari i Gjykatës së UÇK-së Sokol Dobruna e shumë figura të tjera. Mirëpo që të gjithë pas intervistimit nga Zyra e Prokurorit të Specializuar u rikthyen në Kosovë.