Dhomat e Specializuara njoftuan se kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati do të bëjë paraqiten e parë para këtyre dhomave më 1 tetor.
Paraqitja e parë do të jetë në formë të seancës publike dhe mund të përcillet edhe përmes video-linkut, thanë Dhomat e Specializuara.
Gucati u arrestua më 25 shtator nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, nën dyshimet për pengim të drejtësisë.
“Ka dyshim të bazuar se zoti Gucati ka mbajtur tri konferenca për media më 7, 16 dhe 22 shtator, 2020, ku ai ka shpërndarë ose ka bërë të qasshme për mediat informacione dhe dokumente konfidenciale dhe jopublike që kanë të bëjnë me punën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe nuk ka intervenuar kur Nasim Haradinaj (nënkryetari i OVL të UÇK-së) ka përmendur emrin e një dëshmitari dhe ka dhënë informacione lidhur me vendin ku ai banon dhe të dhëna të tjera personale”, thuhej në fletarrestin e lëshuar për Gucatin.