60 autobusë, do të nisën nga Kosova për në Tiranë, atje ku edhe pritet të mbahet protesta gjithëkombëtare e Organizatave të Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), raporton Ekonomia Online.
Protesta që do të bëjë thirrje për drejtësi ndaj ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen në Hagë, ka marrë mbështetjen e madhe të qytetarëve por edhe të institucioneve të Shqipërisë. Kështu ka treguar kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati në konferencën për media.
“Ne kemi gjetur mbështetje shumë të madhe nga qytetarë të Shqipërisë, nga institucionet e shtetit shqiptar dhe nga qeveria. Protesta ka karakter gjithmonë jo kundër gjykatës, jo kundër drejtësisë, por kundër padrejtësisë e cila po ndodh në Hagë tash e 5 vite,” tha ai.
Ai shtoi se protestës i janë bashkuar edhe PDK e AAK. Ndërsa fjalën para protestuesve do ta kenë ish-presidenti shqiptar, Alfred Moisiu dhe kryetari i BDI-së Ali Ahmeti.
“Na kanë mbetur edhe dy ditë deri në protestë. Të premten do të mbahet protesta. Në Kosovë kanë dalë në mbështetje shumica e partive politike, PDK, AAK dhe kryetari i Prishtinës Përparim Rama. Ne kemi mbështetje të madhe nga qytetarët. Sa për fjalime, mund t’ju tregoj do të jenë ish-presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu, Ali Ahmeti do ta marrë fjalën, si dhe unë si organizator i protestës. Do të jetë edhe një familje e dëshmorit nga Shqipëria që ka rënë dëshmor në Kosovë, një familjar i tyre do ta marrë fjalën. E kemi të konfirmuar që kryeministri Edi Rama do të marrë pjesë në protestë, jemi duke pritur sot ose nesër të na lajmërojë edhe për fjalim. Nuk besoj që do ta refuzojë fjalimin, të paktën krejt varet nga agjenda e tij. Dje na ka thënë se do të marrë pjesë në protestën e 17 tetorit,” tha Gucati.
Ai njoftoi se mbështetje për protestën kanë dhënë edhe grupet e tifozëve në Shqipëri dhe se interesimi i qytetarëve është i madh.
“Na kanë dhënë mbështetjen edhe tifozët kuq e zi në Shqipëri. Numri i qytetarëve do të jetë bukur i madh, që vetëm nga Kosova deri më sot i kemi deri 60 autobusë që janë konfirmuar,” tha ai.
Gucati theksoi se protesta ka karakter kombëtar dhe do të mbahet në vendin ku u formua UÇK-ja.
“Protesta ka karakter kombëtar, UÇK-ja e ka gjenezën mu në Tiranë, aty është formuar në vitet e ’90-ta dhe ne aty pikërisht po shkojmë ku është formuar UÇK-ja, t’i tregojmë gjykatës speciale që UÇK rrjedh nga populli dhe ne jemi nga populli. Pa mbështetjen e qytetarëve shqiptarë ne sot nuk kishim mundur të vepronim apo të bënim luftën,” tha ai.
Protesta do të mbahet me 17 tetor 2025, në ora 17:00 në Sheshin “Skënderbej”.
