Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës, Hysni Gucati, i ka bërë thirrje Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti që ta heqë nga pozita e Ministres së Drejtësisë, Donika Gërvallen, e cila, sipas Gucatit ka dorëzuar dokumente të rreme në Gjykatën Speciale kundër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Këto komente Gucati i bëri në protestën e organizuar kundër vendimit në Hagë ndaj katërshes së UÇK-së.
“Ne sot na befason që ende institucionet nuk e kanë thënë asnjë fjalë. Në vend që Donika Gërvalla të japë një deklaratë për një padrejtësi që është bërë për çlirimtarët, ajo sot hesht. Ne e dimë që Donika Gërvalla ka dorëzuar dokumente në Hagë, ne e dimë që Liburn Aliu ka folur në parlament, i themi Albin Kurtit që këta njerëz t’i përjashtojë nga Qeveria. Njerëz që bashkëpunojnë me armikun, janë armiq të vendit dhe kombit dhe ne nuk i duam në mesin tonë”, ka thënë ai para protestuesve.
Gucati i ka kërkuar edhe Gërvallës kërkimfalje e sqarim Liburn Aliut. Aliu ishte ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, deri në gusht të vitit 2025, kur dha dorëheqje. Aktualisht, ai ushtron pozitën e drejtorit të portit të Durrësit në Shqipëri.
“Ne çlirimtarët e vendit nuk jemi kundër asnjë Qeverie. Jemi kundër atyre njerëzve që heshtin. Jemi kundër atyre njerëzve që gëzohen për dënimin e tyre. Më befason Kurti si e mban ende në zyre një njeri që nuk e thotë asnjë fjalë. Gërvalla le të kërkojë falje, kërkojmë sqarim nga Gërvalla dhe Aliu të deklarojnë ku i morën ato informata, kush janë ata që i kanë vrarë ata njerëz. Jo të drejtohet gishti nga pjesëtarët e UÇK-së”.
