Rritja e vazhdueshme e numrit të përfituesve nga skema e transfereve sociale, sidomos e numrit të veteranëve të luftës së ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, po e rëndon buxhetin e shtetit. E numri i veteranëve vetëm sa po rritet dita ditës. Madje edhe me fillimin e këtij viti është rritur numri i atyre që përfitojnë pensionin e veteranit.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, nga 38 mijë e 232 veteranë sa ishin duke përfituar pensione në janar të vitit të kaluar, në dhjetor të 2019 mbetën vetëm 38 mijë e 101 përfitues.
Por ky numër është rritur përsëri dhe në tre mujorin e parë të vitit 2020 (janar, shkurt, mars) janë 38 mijë e 205 veteranë që përfitojnë nga skema pensionale.
Që i bie se nga dhjetori i vitit të kaluar deri në mars të këtij viti janë shtuar në skemën pensionale për veteranët e UÇK-së edhe 104 persona.
Përfaqësuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, thonë se nuk dinë se si tani është rritur numri i veteranëve.
“Ne jemi befasuar me këtë numër, kah është rritur ky numër dhe ka rrjedh ne nuk e dimë. Si do qoftë për ne kjo është e papranueshme që të ketë rritje prapë numri i veteranëve”, ka thënë në një prononcim për FaktePlus kryetari i OVLUÇK-së, Hysni Gucati.
Edhe pse nuk di gjë si është rritur numri i veteranëve, Gucati e ka hedhur fajin tek Qeveri Kurti për rritjen e fundit.
Ai madje thotë se është e turpshme dhe e papranueshme që me ndërrimin e qeverive dhe për interesa politike po rritet numri i veteranëve.
“Deri kur kështu do të shkojë? Është turp për Qeverinë që sa herë që ndërrohet për interesa të veta politike e fryjnë numrin e veteranëve. Kjo për ne është e papranueshme. Edhe pse nuk e dimë nga ka rrjedh ky numër, mirëpo kjo rrjedhë pikërisht prej qeveritarëve se sa herë ndërrohen qeveritë shkojnë dhe e rritin numrin e veteranëve. Ky numër u rrit në kohën e Qeverisë Kurti. Nuk jam duke e akuzuar Kurtin, por ky është kryeministër dhe këta duhet ta mbajnë përgjegjësinë dhe ata duhet të tregojnë nga u rrit ky numër”, ka thënë Gucati.