Gucatit e Haradinajt iu vazhdohet paraburgimi deri në marrjen e vendimit pas pranimit të informatave nga Policia e Kosovës

Prishtinë | 27 Tet 2021 | 16:06 | Nga Ekonomia Online

Trupi i gjykues, i kryesuar nga gjykatësi Charles L Smith II, ua ka vazhduar paraburgimin Hysni Gucatit e Nasim Haradinaj deri në marrjen e vendimit pas pranimit të informatave që kanë kërkuar nga Policia e Kosovës (PK).

Dhomat e Specializuara kanë kërkuar nga Policia e Kosovës që deri më 26 nëntor të ofrojë informata për këtë gjykatë.

Këto informata, janë kërkuar nga policia lidhur me autoritetin dhe aftësinë (në veçanti, për sa i përket personelit dhe burimeve në dispozicion) për të kufizuar lëvizjet e individëve që i nënshtrohen lirimit të përkohshëm, për të monitororuar dhe kufizuar komunikimet e individëve të tillë, për të administruar arrestin shtëpiak dhe për të siguruar ekuivalentin e masave të lartpërmendura gjatë shtrimit në spital.

“Zbatueshmërinë e masave të sipërpërmendura që lidhen me lirimin e përkohshëm; dhe (iii) instancat e mëparshme të zbatimit të masave të tilla që kanë të bëjnë me lirimin e përkohshëm të personave të akuzuar për vepra kundër administrimit të drejtësisë, në veçanti për veprat nga nenet 387, 388, 392 dhe 401 të Kodit Penal të Kosovës”, thuhet në këtë urdhër të Gjykatës.

Ndryshe, në seancën e së mërkurës, në gjykimin ndaj Gucatit dhe Haradinajt në Hagë, ka vazhduar dëshminë, dëshmitari i dytë, Halil Berisha, raporton Betimi për Drejtësi.

Hysni Gucati, së bashku me Nasim Haradinajn, po akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Akuzat e paraqitura në aktakuzën e konfirmuar mbështeten në dyshimin e bazuar mirë se së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, z. Gucati dhe z. Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara.

Të ngjashme