Guillou paragjykon fajësinë e Veselit, prokuroria kishte pranuar se s’ka akuzë për të për kryerje direkte të krimeve

Prishtinë | 26 Kor 2022 | 18:02 | Nga Ekonomia Online

Gjyqtari i Procedurës Paraprake në Gjykatën Speciale, Nicolas Gulliou ka lëshuar një vendim të ri për t’ia vazhduar paraburgimin Kadri Veselit, por disa kontradikta janë vërejtur në vendimin e tij, në raport me pohime e dokumente të tjera të hartuara më parë nga Prokuroria Speciale e udhëhequr nga Jack Smith.

Gjykata Speciale konsideron se ka ende arsye për ta mbajtur Kadri Veselin në paraburgim. Në vendimin e fundit, Specialja e pa të nevojshëm mbajtjen e Veselit në paraburgim.


Guillou, që deri më tani ka aprovuar çdo kërkesë të prokurorisë dhe refuzuar çdo kërkesë të ekipeve mbrojtëse të figurave të larta të UÇK-së, ka paragjykuar fajësinë e Veselit, teksa ka argumentuar vendimin e tij për t’ia vazhduar paraburgimin.

Ai në një mënyrë e shpalli sot fajtor ish kreun e Kuvendit, Kadri Veselin ende pa filluar as gjykimi, ndonëse ai dhe krerët e tjerë të UÇK-së po mbahen në burg tash e gati dy vjet. Në drejtësi prezumimi i pafajësisë është një nga shtyllat kryesore të një gjykimi të paanshëm dhe të drejtë. Gjyqtari i procedurës paraprake të vetëm detyrë që ka është përgatitja e lëndës për gjykim. Por, Guillou duket se ka shkuar përtej kësaj.

“Pas shqyrtimit të faktorëve dhe rrethanave të përmendura në vendime, duke shqyrtuar paraburgimin e Z. Veseli, gjyqtari i procedurës paraprake mbetet i bindur se ato vazhdojnë të ekzistojnë. Në veçanti, gjyqtari i procedurës paraprake konsideron se Z. Veseli është vënë në dijeni për akuzat ndaj tij dhe mundësinë e një të dënimi të rëndë në rast të dënimit”, thuhet në vendim të tij.

Në fakt, për Veselin nuk rëndon asnjë akuzë që e lidhin atë drejtpërdrejt me krime. Këtë e kishte pranuar edhe vet prokuroria në qershor të vitit 2021. Në një parashtresë të Jack Smith, ai e kishte pranuar decidivisht se Veseli nuk ka akuzë për kryerjen e krimeve si autor i drejtëpërdrejtë.

Ai e pohon këtë në pikën 11 të kësaj parashtrese.

“Parashtresat e Veselit janë paramenduar gjithashtu në një portretizim të deformuar të çështjes së ZPS-së. Veseli nuk akuzohet për kryerjen e krimeve si autor i drejtpërdrejtë”, thuhet në parashtresën e Prokurorit Smith.

Akuzat ndaj Veselit lidhen me pozicionin e tij udhëheqës gjatë kohës së luftës dhe Prokurori Smith përsërit pretendimet e tij që tashmë janë thënë në aktakuzën e krerëve të UÇK-së për ndërmarrjen e përbashkët kriminale.

Avokati i Veselit, Ben Emmerson, disa herë kishte shprehur habinë e tij me zvarritjen që Prokuroria po ia bën çështjes, duke thënë se Zyra e Prokurorit të Specializuar, në bazë të provave që ka në dispozicion, në asnjë rast nuk e akuzon Kadri Veselin për kryerjen e ndonjë krimi.

“Në rastin e z. Veseli, nga dëshmitë e dorëzuara deri më tash, nuk ka qoftë edhe një pretendim se ai ka kryer ndonjë krim”, kishte thënë Emmerson. 

Të ngjashme