Mesfushori i Manchester Cityt, Ilkay Gundogan ka thënë se do të jetë korrekte që Liverpooli të shpallet kampion i Premier Leagues në rast se stinori nuk përfundohet për shkak të koronavirusit.
Futbolli në Angli është pezulluar deri së paku më 30 prill. Liverpooli është duke kryesuar me 25 pikë epërsi ndaj Manchester Cityt që zë vendin e dytë. I duhen vetëm dy fitore për të fituar titullin e parë të Anglisë pas 30 vjetëve.
I pyetur nga transmetuesi gjerman ZDF, nëse Liverpoolit duhet të marrë trofeun në rast se stinori nuk përfundon, Gundogan është përgjigjur: “Për mua, kjo do të ishte në rregull, po. Duhet të jesh korrekt si sportist”.
Ka pasur thirrje për anulimin e stinorit në Angli, por edhe të mos shpallet kampioni dhe të mos bien klubet në rangje më të ulëta.
Gundogan pranon se autoritetet e futbollit po përballen me vendim të vështirë, pasi anulimi i stinorit do të kishte ndikim në dy anët e tabelës në Premier League.
“Ka dy opinione të ndryshme. Për klubet që kanë pasur një stinor shumë të mirë, qartë se nuk do të ishte mirë të anulohet stinori tash. Në anën tjetër, klubet që nuk janë paraqitur mirë dhe janë në vende që largojnë nga liga, anulimi i stinorit do t’i shkonte përshtati”, ka thënë Gundogan.
Mesfushori i përfaqësueses së Gjermanisë ka thënë se është i gatshëm të pranojë ulje page nëse është e nevojshme të bëhet kjo.
“Sigurisht se është në rregull, nuk ka dilemë këtu. Por, nuk ka pasur një diskutim të tillë në Angli”, ka shtuar Gundogan.